Telegrafi

KNKK dhe Komisioni për persona të zhdukur nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi

Si pjesë e përpjekjeve të saj për të ndihmuar në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur në Kosovë, Misioni i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK-së) në Kosovë sot nënshkroi një Memorandum të Mirëkuptimit (MM) me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) të Kosovës.

Ky memorandum i mirëkuptimit prite të shërbejë si udhëzues dhe bazë për bashkërendimin dhe bashkëpunimin midis KNKK-së dhe KQPZh-së në vazhdën e veprimeve që për qëllim kanë zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së atyre që ende janë të zhdukur në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Shefi i Misionit të KNKK-së në Kosovë, Agim Gashi, tha “Në esencë, Memorandumi i Mirëkuptimit është hap drejt rritjes së bashkëpunimit që KNKK-ja dhe KQPZh-ja e kanë pasur qe disa vite me radhë. KQPZh-ja ka treguar qasje tejet proaktive ndaj kësaj çështjeje, duke bërë përpjekje konkrete për ta zbardhur fatin dhe vendndodhjen e atyre që janë zhdukur në Kosovë. Për KNKK-në, Memorandumi i Mirëkuptimit sigurisht se e konkretizon mbështetjen dhe angazhimin tonë të paluhatshëm për t’i forcuar kapacitetet lokale, duke e synuar një mënyrë më efektive të trajtimit të çështjes së të zhdukurve”.

Kanë kaluar 22 vjet nga lufta në Kosovë dhe familjet e më shumë se 1600 personave të zhdukur janë ende në pritje të përgjigjeve për fatin dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.