Me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare për Persona të Zhdukur, Agim Gashi, shefi i Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK), tha se një ngadalësim i theksuar në procesin e zgjidhjes së rasteve nënkupton se mbi 1,600 familje vazhdojnë të presin pafund për të dashurit e tyre të cilët u zhdukën pothuajse që dy dekada.
Ai në emër të familjeve kërkoi nga autoritetet që të shtojnë përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi humanitar.
Të shqetësuar me trendin me të cilin këto raste janë zgjidhur gjatë viteve të fundit, Gashi tha se, përderisa 11 raste janë zgjidhur gjatë vitit 2017, këtë vit, deri tani, janë zgjidhur vetëm katër.
“Pengesë kryesore për një progres më të shpejtë është mungesa e informatave të cilat mund të shpijnë në gjetjen e vend varrezave të reja”, tha ai.
Ndryshe, si pasojë e luftës së 1998/1999 në Kosovë, 6,057 persona i janë raportuar KNKK-së si të zhdukur.
Përderisa procesi i kërkimit ka dhënë rezultate, duke iu mundësuar familjeve të 4,407 personave të gjejnë prehje, ky është një ngushëllim i vogël për familjet e 1,650 personave të zhdukur që ende vazhdojnë të jetojnë në paqartësi.
Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, ish-palët ndërluftuese në konflikt mbartin përgjegjësinë kryesore për të ofruar përgjigje mbi vendndodhjen e personave të zhdukur në territorin që ata kontrollonin. /Telegrafi/