Telegrafi

Knicks shkelmojnë Lakers, më të vlefshmit në NBA

Mesatarja e vlerës së një ekipi në NBA tash është 509 milionë dollarë, një rritje që sipas Forbes është si rezultat i të ardhurave më të larta nga shitjet televizive, fushave të reja dhe të rinovuara dhe një marrëveshje të re të ligës.

Knicks kanë marrë kreun nga Los Angeles Lakers me një vlerë prej 1.1 miliardë dollarë, 41 për qind më shumë se vitin e kaluar, kryesisht falë rinovimit 980 milionë dollarësh të fushës së tyre Madison Square Garden, që do të kompletohet më vonë gjatë këtij viti.

Lakers, që ishin të parët vitin e kaluar, tash janë renditur të dytët me një vlerë prej rreth 1 miliardë dollarësh, 11 për qind më shumë se vitin e kaluar. Knicks dhe Lakers janë dy ekipet e para të NBA-së që vlerësohen mbi një miliardë dollarë.

Në top pesëshe ishin edhe Chicago Bulls (800 milionë), Boston Celtics (730 milionë) dhe Dallas Mavericks (685 milionë).

Vlera e kampionit në fuqi të NBA-së, Miami Heat, është rritur për 37 për qind në 625 milionë, duke e renditur atë pozitën e gjashtë në mesin e 30 ekipeve. /Telegrafi/