Site icon Telegrafi

Kneissl: Për liberalizim duhen rezultate në luftën kundër korrupsionit

Ministrja e Austrisë për Evropë, Integrim dhe Çështje të Jashtme, Karin Kneissl tha se pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, Kosova duhet të shënojë progres të dukshëm në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të arritur te liberalizimi i vizave.

Ajo këto komente i bëri pas takimit me ministrin e Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli.

“Progresi të cilin Kosova e ka arritur, posaçërisht nëse shikojmë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me malin e zi. Zyrtarisht mund të iu uroj për këtë marrëveshje. Është një hap i qenësishëm në aspektin e liberalizimit të vizave. E kam të qartë që në popullsi pritjet janë të mëdha në aspektin e liberalizimit të vizave. Por në këtë drejtim, përpos demarkacionit me Malin e zi, duhet të ketë rezultate të dukshme në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe këtu e di siç më ka njoftuar ministri i Jashtëm Pacolli, çfarë është arritur në këtë aspekt është një fakt. Mirëpo, prapë se prapë, ka ende gjëra që duhet bërë për të treguar që Kosova, është po vepron arsyeshëm dhe prandaj ka sigurisht dhe disa pengesa, që i keni. E di angazhimin tuaj që e bëni në parlament që t’i plotësoni kërkesat ndërkombëtare”, tha ajo.

Ajo më tej tha se Austria do ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së, mirëpo dhe kjo gjë varet nga progresi i arritur i secilit vend.

“Austria ju mbështet dhe KE ju mbështet që shtetet e rajonit të afrohen me shtetet e BE-së. Mirëpo, secili shtet sipas meritave të veta dhe progresit të vet vlerësohet. Ne do të angazhohemi aty ku mundemi. Mirëpo, këto varen nga përgjegjësit në shtetet përkatëse. Pasi që sot jemi këtu në Prishtinë varet nga zbatimi i rekomandimeve, që janë dhënë nga KE dhe nga dinamika për zbatimin e këtyre rekomandimeve”, tha ajo.

Ndërkaq zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, tha se Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e kushtit tjetër luftimin e krimit dhe korrupsionit, për liberalizimin e vizave, kusht ky i cili sipas tij pothuajse është i përmbushur.

“E informova që Qeveria e Kosovës, është e përkushtuar të përmbushë dhe kushtin e mbetur për liberalizimin e vizave. Siç e dini, edhe ju demarkacioni ka kaluar e informova homologen time për këtë dhe kushti tjetër, i cili pothuajse është i përmbushur. Unë kërkova nga homologia që të ndihmojë Kosovën në procesin e mëtutjeshëm të jetësimit të së drejtës universale të kosovarëve, që të udhëtojnë edhe ata sikur të tjerët pa viza drejt vendeve të Evropës. Austria merr Presidencën e BE-së që nga qershori i këtij viti dhe deri në fund të vitit, dhe për këtë unë e luta ministren, që gjithmonë të ketë kujdes dhe t’i ndihmojë Kosovës në të gjitha kërkesat, që sigurisht do të jenë të shumta. Ku është e mundur Kosova do të gjejë mbështetjen te miku ynë Austria, kështu më tha homologia ime”, tha ai.

Pacolli tha se ka kërkuar nga homologia e tij austriake, që t’i ndihmojë Kosovës, tek pesë vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe tek shtetet tjera, që nuk e kanë njohur Kosovën, por që vota e tyre për anëtarësimin e Kosovës, në organizata të ndryshme është shumë e rëndësishme.

Ndërsa tha se ka kërkuar po ashtu që Austria mundësisht të jetë sponzore e Kosovës në aplikimin në Këshillin e Evropës.

Pacolli tha se e ka informuar atë dhe për dialogun me Serbinë dhe për sfidat në implementimin e marrëveshjeve, të nënshkruara deri tani. Ndërsa tha se kërkoi dhe votën e Austrisë, për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Përfundimisht kërkova votën e Austrisë dhe në Interpol. E informova homologen time, që në vjeshtë të këtij viti në Samitin e Dubait, Kosova ka aplikuar dhe do të jetë aty dhe do ta kërkoj votën. Dhe kërkova që Austria pos votës së saj, ta mbështet edhe tek ato shtete që do të votojnë atë ditë për Kosovën”, tha ai.

Exit mobile version