Telegrafi

Knaus kritika ndaj BE-së: Kosova është e bllokuar kudo, kjo strategji nuk duket premtuese

Drejtori i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, ka drejtuar kritika në drejtim të Bashkimit Evropian, sidomos kur bëhet fjalë për raportin e saj me Kosovën.

Përmes një postimi në Twitter, përcjell Telegrafi, Knaus ka thënë se Kosova është e bllokuar kudo, BE i ofron mundësinë qytetarëve të shteteve si Ukraina dhe Moldova që të udhëtojnë pa viza, por jo edhe atyre të Kosovës.

Madje, siç shkruan ai, kjo nuk ndodhi edhe pas përmbushjes së të gjitha kritereve.

“Oferta e vetme për Prishtinën është ‘heq dorë nga territori dhe burimet në këmbim të normalizimit’. Kjo nuk duket si një strategji premtuese”, ka shkruar Knaus.

Kujtojmë se muaj më parë, Gerald Knaus, kishte thënë se debati për ndryshim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë është i rrezikshëm dhe se mund të nxisë konflikte në Ballkan.

Siç kishte thënë Knaus, ideja se zgjidhja më e mirë e problemeve me pakicat është largimi i tyre me ndryshim të kufijve, ka qenë gjithmonë e rrezikshme. /Telegrafi/