Telegrafi

KMDLNJ-Zbogarit: A je lehtësues apo shtrëngues?

Këshilli për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Lirive të Njeriut në Kosovës ka reaguar sot ndaj deklaratave të shefit të BE-së në Kosovë Samuel Zbogar për ministren Hykmete Bajrami.

Zbogar ka akuzuar ministren Bajrami se po bën spastrime në administratën e Ministrisë që sipas tij po i zëvendëson profesionistët me jo profesionistë.

KMDLNJ vlerëson se fjalori që e përdorë Zbogar është një kërcënim i ambalazhuar me “shqetësimin” e tij për mbarëvajtjen e punës në këtë ministri dhe pa asnjë dyshim paraqet kërcënim të hapur ndaj ministres Bajrami që për çdo vend normal do të ishte e papranueshme dhe ndërhyrje flagrante në punën e një përfaqësuesi të Qeverisë.

“Duket se në këtë rast janë prekur interesat e dikujt që e ka gëzuar apo ende e gëzon mbrojtjen e ndërkombëtarëve të cilët, ndoshta edhe kanë ndikuar në emërimet e mëparshme për poste të larta institucionale. Ndryshe, pse do të duhej t’i pengonte zotit Zhbogar përpjekja dhe angazhimi i ministres Bajrami për të vendosur rregull në këtë ministri”, thuhet në reagimin e Këshillit.

Sipas KMDLNJ dyshimet për shpërdorime për të cilat ministrja Bajrami ka pretendime konkrete duhet të hetohen.

Ky Këshill ia kujton përfaqësuesit të BE-së se duhet ta ketë të qartë se nëse dikush largohet nga puna pa të drejtë apo degradohet në aspektin profesional pa arsye, ekzistojnë mekanizma për mbrojtjen e tyre siç janë: Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, Inspektorati i Punës si dhe gjykatat (në të gjitha nivelet) ku mund të kërkojnë të drejtën e tyre për shkak të një veprimi arbitrar të ministres apo dikujt tjetër me përgjegjësi nga kjo ministri.

“Çka dhe kënd në fakt po e mbron z. Zbogar dhe pse po e bënë këtë në vend se ta përkrah këtë ministri e cila është shumë e rëndësishme për sigurimin e mirëqenies për qytetarët e Kosovës mbetet të shihet por duhet të respektohet ndarja e pushteteve dhe kompetencave , z. Zbogar duhet ta bëjë punën sipas mandatit që e ka sikur që edhe ministrja Bajrami nuk duhet të pengohet që ta bëjë punën e saj gjithashtu në përputhje me mandatin që i takon”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së. /Telegrafi/