Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga të gjitha palët që ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
KMDLNj thotë se është kundër çdo fjalori që thërret apo nxitë dhunë sikur edhe kundër linçimit publik që po i bëhet sidomos gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, pasi morën vendimin.
Këshilli fton të gjithë liderët e partive politike të ushtrojnë autoritetin për qetësim të situatës, duke u distancuar nga çdo kërcënim apo veprim i dhunshëm.
“KMDLNj përkrah çdo protestë apo shprehje të pakënaqësisë që bëhet në përputhje me Ligjin dhe në mënyrë paqësore. Protestat e paralajmëruara nuk kanë asnjë efekt në vendimin e Gjykatës Kushtetuese përveç se do ta dëmtojnë subjektin politik që i organizon protestat në rast se ushtrohet dhunë gjatë protestave. Konstelacioni i krijuar politik pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk siguron një qëndrueshmëri qeverisëse dhe vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja në fund të këtij viti apo në fillim të vitit 2021”, thuhet në reagim.
Sipas KMDLNJ-së, në një situatë ku afërsisht 58-60 deputetë shqiptarë janë në opozitë është e paimagjinueshme që mund të merren vendime të mëdha dhe të rëndësishme për Kosovën.
KMDLNj pret dhe kërkon që liderët politikë të Kosovës, në mënyrë të përgjegjshme të kontribuojnë që situata të mos përshkallëzojë dhe të bëhet dorëzim-pranimi i përgjegjësive institucionale në mënyrë të qetë, ndryshe do të marrin tërë përgjegjësinë për pasojat e mundshme. /Telegrafi/