Në emisionin ” Udhëve” që shfaqet në televizionin publik RTK është dhënë një informatë për rastin e Ukshin Hotit, i dënuar për çështje politike, si aktivist i shquar i çështjes kombëtare i cili është liruar në kohën e luftës në Kosovë nga Burgu i Dubravës.
Por KMDLNj thotë se materialet e shfaqura në emisionin “Udhëve” i ka pasur në dispozicion, së paku para dy vjetëve, dhe për këtë menjëherë e ka informuar Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe është takuar me një prokuror special për raste të krimeve të luftës, për të paraqitur rastin.
Kjo është komunikata e plotë e KMDLNj:
Në emisionin “Udhëve” që shfaqet në televizionin publik RTK është dhënë një informatë për rastin e Ukshin Hotit, i dënuar për çështje politike, si aktivist i shquar i çështjes kombëtare i cili është liruar në kohën e luftës në Kosovë nga Burgu i Dubravës.
Sipas një standardi ndërkombëtar, në rrethana të veprimeve luftarake autoritetet serbe është dashur ta dorëzojnë Ukshin Hotin, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq që ka mandat të ushtrojë aktivitet edhe në rrethana lufte, të mbikëqyrë të burgosurit politik, robërit e luftës si dhe ta bëjë pranimin e të liruarve apo të këmbyerve të zënë rob gjatë veprimeve luftarake. Në këtë emision janë paraqitur disa skica të vendit ku janë ekzekutuar disa persona në mesin e të cilëve supozohet të jetë edhe Ukshin Hoti.
Kjo informatë në emisionin “Udhëve” të RTK – së ka ngjallur shpresa se, më në fund do të zbardhet rasti i Ukshin Hotit që ka mbetur peng që nga dita kur është “liruar”.
Sa për informatë për opinionin, KMDLNj thekson se materialet e shfaqura në emisionin “Udhëve” i ka pasur në dispozicion, së paku para dy vjetëve.
Për këtë menjëherë e ka informuar Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe është takuar me një prokuror special për raste të krimeve të luftës, për të paraqitur rastin, përkatësisht për të bërë kërkesë për hetim të pretendimeve që ofronte skica e bërë në një fshat të Dukagjinit ku është bërë njëra ndër masakrat më të mëdha ndaj civilëve. Pas shqyrtimit të rastit, prokurori special e ka informuar KMDLNj se, në bazë të materialit të prezantuar nuk ka bazë për fillim të hetimeve dhe ka kërkuar nga KMDLNj që këtë material ta mbështesë me fakte konkrete për të filluar hetimet.
Po i njëjti material është prezantuar edhe në emisionin “Udhëve” të RTK – dy vjet më vonë. Kjo skicë, sipas KMDLNj – ka ardhur nga Serbia dhe nuk i është nënshtruar kurrfarë verifikimi. Dorëzuesi i skicës i ka premtuar KMDLNj se do të sigurojë fakte të tjera e të cilat asnjëherë nuk i ka sjellur. Skicat janë dorëzuar përmes personit të tretë i cili as që ka qenë i informuar për përmbajtjen e informatës.
KMDLNj-ë kërkon që informatat e prezantuara në emisionin ” Udhëve ” të mos merren si të vërteta, pa u siguruar fakte mbështetëse, të mos nxisin pritje dhe shpresa të mëdha e sidomos të mos përdoren dhe keqpërdoren për promovime, qëndrime dhe përfitime politike. Rasti i Ukshin Hotit është lehtësisht i zgjidhshëm nëse Serbia do të pranonte të bashkëpunojë me autoritetet e drejtësisë kosovare dhe ndërkombëtare.
Hetimi dhe përgjegjësia duhet të bëhet ndaj ish drejtorit të Burgut të Dubravës si dhe zinxhirit komandues policor, ushtarak dhe politik serb ne Pejë, Istog dhe Prishtinë për të arritur te adresa kryesore e përgjegjësisë e që është, pa asnjë dyshim në Beograd.
Në kuadër të bisedimeve me Serbinë, pala kosovare duhet të këmbëngul për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në bazë të parimit të reciprocitetit në këmbimin e informatave me ç’rast autoritetet serbe duhet të ofrojnë informata për shqiptarët dhe joshqiptarët e zhdukur kurse pala kosovare duhet të ofrojë informata për serbët, romët dhe të zhdukur të tjerë. Vetëm në këto kushte dhe mbi këto baza mund dhe duhet të zgjidhet çështja e personave të pagjetur, si e drejtë elementare e njeriut e jo si kushtëzim apo kërkesë politike. Pikërisht politika nga të dyja palët e sidomos ajo ndërkombëtare kanë qenë penguesit më të mëdhenj dhe kryesorë për zgjidhjen e fatit të personave të pagjetur pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, gjinore, racore apo statusit në shoqëri.