Site icon Telegrafi

KMDLNj, Thaçit: Mos e dekretoni gjyqtarin Laban, pa përfunduar verifikimi për të

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi të mos e dekretojë gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Radomir Laban, i votuar ditë më parë nga Kuvendi i Kosovës pa përfunduar verifikimi për të.

Për KMNDLNJ është lëshim i atyre që është dashur ta bëjnë verifikimin e së kaluarës të çdo kandidati që ka konkurruar për pozitën e gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese.

“Pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan dy kandidatë të komunitetit joshumicë, ndërsa refuzuan të gjithë kandidatët shqiptarë për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e që për KMDLNj –në paraqet non sens të llojit të vet , u ngrenë dyshime për të kaluarën e z.Llaban i cili, sipas disa mediave të Serbisë, ka të kaluar kriminale dhe qenka dënuar për krim të organizuar”, thuhet në reagim.

Lexo po ashtu Deputetët zgjedhin gjyqtarët e Kushtetueses nga komunitetet jo shumicë

Sipas KMDLNJ-së, nuk ka dyshim se deputetët e komunitetit serb e kanë ditur për të kaluarën e dyshuar kriminale të gjykatësit Llaban, mirëpo KMDLNJ shtron pyetjen nëse këtë e kanë ditur edhe shqiptarët dhe përsëri e kanë votuar?!

“Rasti Llaban, nëse del të jetë i vërtet tregon qartazi për mungesën e koordinimit midis segmenteve të caktuara të sistemit të sigurisë e që janë përgjegjëse për verifikimin e së kaluarës për pozita ku kërkohet sqarimi për të kaluarën. Nëse rasti Llaban është përtej dyshimeve të shprehura në media dhe dëshmohet e kaluara e tij e cila është në shpërputhje me postin e synuar dhe për fat të keq të votuar nga deputet të papërgjegjshëm, Llaban jo që nuk duhet të dekretohet si gjykatës i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por ndaj tij duhet të fillojnë hetimet për paraqitje të pavërtetë të fakteve, fshehje të së vërtetës dhe falsifikim të dokumenteve”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Haxhiu: Të anulohet vendimi, Laban nuk mund të jetë anëtar i Gjykatës Kushtetuese

“Z. President Thaçi, KMDLNj kërkon nga Ju, si autoritet që vendosë për dekretimin e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të mos e nënshkruani dekretimin e z.Llaban deri sa përfundimisht të mos sqarohet e kaluara e tij, pas një verifikimi i cili doli të jetë i mangët për rastin konkret . Sqarimi i së kaluarës së z.Llaban është lehtësisht i verifikueshëm nëse ka vullnet dhe nëse ky proces nuk i nënshtrohet ndikimeve politike”, thuhet në reagim.

Për KMDLNj-në është jashtëzakonisht shqetësues fakti se përkundër që ka pasur kandidatë shumë të përgatitur dhe shumë profesionist, asnjë kandidat shqiptar nuk i ka fituar votat e nevojshme për Gjykatë Kushtetuese, duke e bërë jofunksionale këtë Gjykatë e cila, gjithashtu, në radhët e saj ka anëtarë që nuk e meritojnë të jenë gjykatës të Gjykatës Kushtetuese.

Lexo po ashtu Nuk zgjidhet asnjë gjyqtarë shqiptar i Kushtetueses

“Dështimi i votimit të kandidatëve shqiptarë për anëtarë-gjykatës të Gjykatës Kushtetuese është bërë për shkak të ndërhyrjeve politike dhe shkaku se ka dështuar marrëveshja midis subjekteve të caktuara politike për kalimin e kandidatëve të tyre e që nënkupton vazhdim të politizimit të institucionit më të lartë të drejtësisë në Kosovë. Kjo është krejtësisht e papranueshme për faktin se profesionalizmi i kërkuar si kriter numër 1 për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese po zëvendësohet me servilizëm ndaj politikës dhe subjekteve politike kurse deputetët e pandërgjegjshëm po i nënshtrohen kërkesave politike e që skajshmërisht po e degradon Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

Exit mobile version