Telegrafi

KMDLNj: Termokos mërdhinë qytetarët e Prishtinës

Këshill për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Lirive të Njeriut, shpreh shqetësimin e saj për mungesën e ngrohjes në kryeqytet, duke thënë se kjo po rrezikon mbajtjen e procesit mësimor, shëndetin e pacientëve dhe po rrezikon shëndetin e personave të privuar nga liria.

“Ngrohtorja e qytetit “Termokos” në Prishtinë ndonëse kanë kaluar dy javë kur është dashur ta aktivizojë ngrohjen ende nuk e kanë bërë këtë përkundër faktit të temperaturave shumë të ulëta të këtyre ditëve. Me mosaktivizimin e ngrohjes përveç mërdhij së qytetarëve që po u afrohet nga Termokos po rrezikohet edhe vazhdimi i mbajtjes së procesit mësimor në të gjitha nivelet, shëndeti i pacientëve në institucionet shëndetësore, shëndeti i personave të privuar nga liria dhe oficerëve që kujdesen për ta, shëndeti i pensionistëve dhe banorëve të shtëpisë për të moshuar si dhe mbarëvajtja e bizneseve”, thuhet një deklaratë për media nga KMDLNj.

KMDLNj përkujton autoritetet e komunës së Prishtinës se mosaktivizimi i ngrohjes së qytetit “Termokos” rrezikon seriozisht buxhetin e varfëruar të qytetarëve sepse ata detyrohen që të përdorin mënyra alternative për ngrohje siç janë rryma, nafta dhe me drunj çmimet e të cilave janë të papërballueshme për qytetarin.

KMDLNj kërkon nga autoritetet e komunës së Prishtinës që janë përgjegjëse për menaxhimin e ngrohjes së qytetit të intervenojnë në mënyrë që sa më shpejt të fillojë furnizimi me ngrohje për qytetarët e Prishtinës si dhe përgjegjësi për ata që nuk u aktivizuan ngrohtoren në afatin e paraparë.

Gjithashtu, KMDLNj kërkon që në kohë kur qytetarët nuk furnizohen me ngrohje të mos ngarkohen me fatura të ngrohjes përkatësisht të mos detyrohen të paguajnë për shërbime që nuk iu janë ofruar. /Telegrafi/