Telegrafi

KMDLNj: Të mos deportohen shtetasit turq, kundërshtarë politik të Erdoganit!

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KLMDNJ), ka reaguar pas arrestimeve të drejtuesve të kolegjit “Mehmet Akif”, nga Policia e Kosovës.

KMDLNj përmes një komunikate për media ata kanë thënë se autoritetet kosovare  po rreshtohen në anën e regjimit aktual në Turqi që me këmbëngulje po kërkojnë që të arrestohen  dhe deportohen në Turqi të gjithë ata që cilësohen si gylenistë.

“Autoritetet kosovare me arrestimet që i bënë sot me ç’rast u arrestuan pesë drejtues të kolegjit “Mehmet Akif” në Prishtinë dhe Gjakovë përkatësisht të Mustafa Erdem , Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Cihen Ozkan dhe Hasan Gunakan qartazi po rreshtohen në anën e regjimit aktual në Turqi që me këmbëngulje po kërkojnë që të arrestohen  dhe deportohen në Turqi të gjithë ata që cilësohen si gylenistë. Kohë më parë në Prizren ishte arrestuar një shtetas turk i kërkuar si përkrahës i Fetyllah Gylenit, ishte mbajtur në burg për një kohë dhe pas reagimit të KMDLNj-së , organizatave të tjera si dhe presionit të opinionit publik ishte liruar me dorëzani”, thuhet në reagim.

KMLDNJ kërkon që Kosova të mos ndërhyjë në luftën midis Erdoganit dhe Gylenit dhe të mos arrestojë qytetarë turk , përkrahës të Gylenit , të mos mbyllë kolegje që kanë punuar për vite të tëra në Kosovë.

“Ky këshill e kundërshton arrestimin e shtetasve turq në Kosovë për shkaqe politike dhe e kundërshton fuqishëm çdo përpjekje për ekstradim në rrethana ekzistuese”, thuhet në reagim./Telegrafi/