KMDLNj ka kërkuar që Pavijoni i Paraburgimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë duhet të mbyllet urgjentisht. Në këtë qendër thuhet se përafërsisht janë 35 deri 40 të paraburgosur që i shkakton shumë probleme këtij institucioni korrektues, si gjatë përcjelljes së shpeshta në seanca gjyqësore ashtu edhe gjatë dërgimit në spitale rajonale dhe në QKUK.
“Qendrat Korrektuese janë institucione ku zbatohen vendimet e plotfuqishme të gjykatave kompetente dhe aty nuk do të duhej të kishte të paraburgosur përjashtuar këtu rrethanat e jashtëzakonshme kur mbushen kapacitetet e paraburgimit apo mbipopullim i qendrave të paraburgimit e që kjo në Kosovë nuk ka të ngjarë të ndodhë”, thuhet në deklaratën e KMDLNj-së.
KMDLNj ka pasur vërejtje edhe për Shërbimin Shëndetësor të Burgjeve që sipas tyre përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, asnjëherë për shkaqe objektive apo subjektive nuk ka arritur t’i plotësojë kërkesat dhe nevojat e personave të privuar nga liria për një trajtim shëndetësorë që parashihet me standardet ndërkombëtare .
“Në aspektin profesional nuk është kompletuar për faktin se ka munguar stimulimi financiar e që ka qenë i domosdoshëm nëse kemi parasysh faktin se punojnë në kushte dhe rrethana specifike dhe me një rrezikshmëri të lartë. Rastet më të rënda janë dërguar në Spitalet Rajonale dhe QKUK por se ka paraqitur problem rezervimi i termineve e që ka shkuar në dëm të shëndetit të persionave të privuar nga liria dhe ka kompromituar përpjekjet dhe vullnetin e shërbimit Shëndetësor të Burgjeve që edhe në këto rrethana nuk është se ka munguar”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, KMDLNj thekson se puna është mjeti më efikas për risocializimin e të dënuarve dhe mundësia më e mirë për fitim të beneficioneve. Sipas tyre, privimi nga puna shumëfish diskriminon të dënuarit sikur që i shkakton probleme SHKK-ës.
“Me angazhim në punë të personave të privuar nga liria, Shërbimi Korrektues i Kosovës, për shumicën e rasteve të riparimeve nuk do të kishte nevojë të angazhojë kompani nga jashtë, që punën e bëjnë shkel e shko e që e kemi shembullin konkret të Qendrës së Paraburgimit në Hajvali dhe Gjilan. Shembull pozitiv në këtë drejtim është Qendra e Paraburgimit në Lipjan që ka bërë rinovime me forca vetanake dhe me një buxhet të vogël dhe një pjesë e Qendrës Korrektuese në Dubravë”, vijon deklarata.
Për punën e Panelit për Lirim me Kusht, KMDLNj thotë se ka përmirësime mirëpo është larg të qenit motivuesi kryesor për sjellje të mirë të personave të privuar nga liria për faktin se ka kritere që iu ka kaluar koha.
“Pendimi i thellë për veprën e kryer nuk mund të matet me një deklaratë të shkruar apo me një fjalë goje. Se personi është penduar, matësi më mirë dhe mbase i vetëm është sjellja e të dënuarit gjatë vuajtjes së dënimit dhe pranimi i shkallës së risocializim që lidhet ngushtë dhe mbase me të vetmin faktor , sjellja e mirë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e KMDLNj-së.