Site icon Telegrafi

KMDLNJ: Të hetohen sulmet ndaj zyrave të LDK –së

Këshilli për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut (KMDLNJ) theksoi se persona të paidentifikuar deri më tani sulmuan tetë zyra të LDK –së në territorin e Kosovës, duke i dëmtuar ato dhe duke dërguar mesazhe kërcënimi ndaj aktivistëve të këtij subjekti politik.

Sipas KMDLNJ-së, këtyre sulmeve që duket të jenë mirë të organizuara i parapriu një debat mediatik i cili ishte jashtëzakonisht fyes ndaj disa deputetëve të LDK –së nga të cilët pritej se do ta pengonin zgjedhjen e Hashim Thaçit për president të Kosovës e që nuk e bënë këtë.

“Pastaj nga disa anëtarë të LDK –së u shfaqën botërisht dyshimet se këto sulme janë të sinkronizuara nga një subjekt politik të cilin ata e cilësojnë si lëvizje anarkiste. Me këtë fjalor dhe me këto dyshime të pambështetura në fakte, vetëm sa po kontribuohet në vazhdimin e përshkallëzimit të situatës dhe destabilizimit të vendit andaj KMDLNj thërret palët politike që mospajtimet e tyre që i kanë shndërruar në hasmëri të mos nguten në cilësimet e tyre për njëra – tjetrën, por të presin rezultatet e hetimeve pas së cilave do të duhej të përcaktohej nga gjykata përkatëse përgjegjësia konkrete dhe në bazë të saj do të shqiptoheshin dënimet sipas ligjit”, thuhet në reagim.

Sipas Këshillit… akuzat e padëshmuara publike bartin përgjegjësi publike por edhe penale nëse nxisin apo kontribuojnë në përshkallëzimin e situatës me pasoja në njerëz dhe dëmtimin të pronës publike apo private.

“Prandaj, KMDLNj kërkon nga subjektet politike të mos e marrin rolin e hetuesit, prokurorit dhe gjykatësit sepse nuk kanë mandat ligjor ta bëjnë këtë dhe madje edhe mund të sanksionohen veprimet e tyre. KMDLNj gjithashtu ua përkujton subjekteve të pakënaqura politike që pakënaqësitë e tyre apo dyshimet se ka pasur shkelje gjatë votimit apo zgjedhjes së presidentit të Kosovës t’i adresojnë te gjykata përkatëse, e cila është Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cila është autoriteti suprem për interpretimin e shkeljeve eventuale të Kushtetutës si dhe përmes protestave të pa dhunshme si shprehje e pakënaqësisë së tyre. Protestat paqësore janë e drejtë elementare e njeriut, nëse organizohen në përputhje me rregullat që mbështeten me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

KMDLNj kërkon të hetohen me urgjencë sulmet ndaj zyrave të LDK – së dhe përgjegjësit për këto sulme të sillen para drejtësisë e që është parakusht për sigurimin e kushteve për aktivitet të papenguar partiak dhe politik për të gjitha subjektet politike në Kosovë pavarësisht orientimit të tyre politik, etnik, fetar, etj. /Telegrafi/

Exit mobile version