Monitorues të KMDLNj-së, në kuadër të mandatit të tyre vizituan Qendrën e Ndalimit në Prishtinë pas njoftimit se ishte arrestuar personi i cili dyshohet se e sulmoi shtëpinë e Kryeministrit të Kosovës.
K. A. pohoi se ai ishte arrestuar të hënën më 14.03.2016, rreth orës 21:00h, në një nga kafiteritë e Prishtinës.
“Edhe pse nuk i ishte treguar fletëarresti ai nuk kishte bërë rezistencë ndaj 7 policëve të cilët po e arrestonin. Ai , për rreth dy orë është marrë në pyetje dhe më pas është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë. Ai na pohoi se ndaj tij është ngritur akuzë për armëmbajtje pa leje. Në Qendër ai është njoftuar me të drejtat që i takojnë dhe nuk pati vërejtje për sjelljen e stafit”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.
Monitorues të KMDLNj-së vlerësojnë se gjatë qëndrimit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë nuk ka pasur shkelje të drejtave të personave të privuar nga liria.
KMDLNj vlerëson lartë punën korrekte të zyrtarëve policorë në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë përkundër kushteve jo-adekuate.
“KMDLNj shpreh shqetësimin që gjatë arrestimit , të arrestuarit nuk i tregohet fletarresti dhe këtë e konsideron si shkelje të ligjit dhe shkelje e të drejtave të personave të privuar nga liria. KMDLNj u bënë thirrje prokurorisë dhe policisë të mos e bëjnë arrestimin pa një fletarrest i cili do t’i tregohej të arrestuarit”, thuhet në reagim. /Telegrafi/