Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka inkurajuar Ministrinë e Drejtësisë që në kuadër të reformave të premtuara, një vëmendje të veçantë t’ua kushtojë përmirësimit të kushteve për personat e privuar nga liria dhe stafit korrektues dhe administrativ, sidomos në fushën e ekzekutimeve të sanksioneve penale përkatësisht zbatimin më efikas të mekanizmave ligjorë që rregullojnë përfitimet e të dënuarve që kanë sjellje të mira.
Sa i përket përfitimeve që kanë sjellë të mira, KMDLNj ka përmendur shtimin e pushimeve të fundjavës në shtëpi, për ata që punojnë rregullisht, shfrytëzimi i pushimit vjetor në përputhje me Ligjin e Punës, lirimi nga PLK duke eliminuar pengesat burokratike, Ligji për Amnisti, Zëvendësimi i burgut me masa alternative të dënimit pas vuajtjes së një pjesë të dënimit për vepra me rrezikshmëri më të ulët, si dhe mundësia që viti i vuajtjes së dënimit të mos llogaritet 12 muaj por 10 muaj.
KMDLNjë thotë se këto masa dukshëm do të ndihmonin realizimin e suksesshëm të programit të risocializimit, do të motivonin të dënuarit për sjellje të mirë sepse shteti po ofron ofertë konkrete për ata të dënuar që sillen mirë, do ta kursenin buxhetin e Kosovës, si dhe do ta ndihmonin shumë punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës .
Reagim i KMDLNj – së:
Që nga shpërthimi i pandemisë e shkaktuar nga COVID–19, njëra prej grupeve më të margjinalizuara që iu janë shkelur të drejtat e njeriut janë personat e privuar nga liria dhe të dënuarit që janë në vuajtje të dënimit. Realisht, Shërbimi Korrektues i Kosovës, për ta mbrojtur shëndetin dhe jetën e të burgosurve dhe stafit të këtij shërbimi ka qenë i detyruar t’i zbatojë disa masa kufizuese dhe shtrënguese për faktin se është dashur të respektojë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë përkatësisht të IKSHPK–ës. Sipas vlerësimit të KMDLNj–së, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka reaguar shpejt dhe ka ndërmarrë masa për mbrojtjen e shëndetit të burgosurve dhe stafit, e ka menaxhuar situatën me sukses në një gjendje thuaja të pamenaxhueshme dhe për këtë meriton lëvdata. Realisht, dëmi për shëndetin dhe jetën e të burgosurve shkaku i COVID-19 ka qenë minimal ndërkaq që stafi korrektues është gjetur në një situatë më të rëndë duke humbur jetën një numër i stafit që punuan me përkushtim të madh.
KMDLNj–ë, si organizatë që për më tepër se 20 vite monitoron respektimin e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria pati dalë me propozime konkrete që për shkak të rrethanave të krijuara, institucionet përgjegjëse të Kosovës duhet të ndërmarrin veprime të shpejta që do të lehtësonin gjendjen e personave të privuar nga liria sikur që edhe të Shërbimit Korrektues të Kosovës, mbëeshtetur në veprimet që i kishin marrë edhe shtetet me një demokraci shumë më të zhvilluar se Kosova dhe me një traditë të gjatë dhe të suksesshme në fushën e ekzekutimit të sanksioneve penale.
KMDLNj, sipas propozimit të avokatit Artan Qerkini që tash është anëtar i Kryesisë, pati propozuar shpopullimin maksimal të institucioneve mbajtëse dhe korrektuese, pa e rrezikuar situatën e sigurisë jashtë përmes:
• Faljes së dënimit të të dënuarve që iu ka mbetur nën një vit burg për të gjithë të dënuarit të dënuar për vepra që nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë, dhe që lirimi i tyre nuk do të ndikonte në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme.
• Lirimi i përkohshëm për të gjithë ata që janë shfrytëzues të rregulltë të beneficioneve të cilët do të qëndrinin në shtëpi ndërsa koha e qëndrimit në shtëpi do t’iu llogaritej si shlyerje e dënimit.
• Zëvendësimi i dënimit me burg me masa alternative të dënimit në raste të dënimeve më të lehta.
• Shqiptimi i masës së paraburgimit vetëm në ato raste kur nuk ka mundësi tjera.
• Falja apo ndërprerja e dënimit për të dënuar në moshë të shtyer dhe të atyre me diagnoza terciare (sëmundje të pashërueshme).
• Përfshirje në lirim të një numri më të madh të femrave të dënuarave, të miturve të dënuar apo të miturve me masë edukative sepse KMDLNj ka vërejtje të mëdha se ndaj këtyre kategorive bëhen të padrejta dhe se nuk trajtohen në përputhje me sjelljet që i kanë .
• Intensifikimit të Punës së Panelit për Lirim me Kusht
• Shfrytëzimit të së drejtës kushtetuese të Presidentit/es për falje të personave të privuar për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme
• Krijimit të një Komisioni Ad Hoc që do të shërbente si katalizator për përshpejtimin e procedurave për lirim të personave të privuar nga liria, sipas kritereve të lartëpërmendura.
Institucionet e Kosovës, për shkaqe objektive dhe subjektive nuk i kanë përfillur këto rekomandime dhe në këtë mënyrë janë bërë shkelës të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, e kanë vështirësuar punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës i cili është vënë nën presion të burgosurve, familjeve si dhe organizatave që monitorojnë të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria.
KMDLNj ka vlerësuar se në situata të jashtëzakonshme siç ishte në fillim të pandemisë e që është edhe sot, duhet të merren vendime të jashtëzakonshme e që nuk është vepruar kështu. Kështu, gjykatat kanë refuzuar kërkesat për lirim edhe për të dënuar me diagnozë terciare, me fatalitet të pashmangshëm dhe, për këtë arsye kemi pasur rritje të numrit të dënuarve që kanë vdekur në burg brenda një kohe të shkurtër pikërisht për shkak të sëmundjeve të pashërueshme.
KMDLNj disa herë ka reaguar sikur që edhe tani kërkon që të gjithë të dënuarve që i është mohuar e drejta e shfrytëzimit të beneficioneve për shkak të pandemisë, në rastin kur të kthehemi në një normalitet, ato duhet t’iu kompensohen, pa asnjë hezitim!
KMDLNj edhe më parë ka reaguar për kriteret e Panelit për Lirim me Kusht që më shumë vështirësojnë lirimin e atyre që i kanë plotësuar kushtet se që ua mundësojnë realizimin e kësaj të drejteje.
Për KMDLNj–në, kriteri kryesor, përcaktues dhe vendosës duhet të jetë sjellja e të dënuarit gjatë vuajtjes së dënimit sepse këtu përfshihen të gjitha ato që nënkupton një risocializim i suksesshëm. Ndërkaq, për KMDLNj–ë, nga aspekti i të drejtave të njeriut paraqet problem të madh kriteri i natyrës dhe peshës së dënimit që del të jetë kriteri kryesor i PLK në ndërkohë që ky kriter është dhe duhet të jetë përgjegjësi ekskluzive e gjykatës kompetente që e shqipton dënimin, deri te dënimi i formës së prerë. Vazhdimi i trajtimit të këtij kriteri si përcaktues për PLK, për kMDLNj paraqet edhe një dënim shtesë për të dënuarin nga gjykata kompetente dhe demotivim për të dënuarin. E kaluara kriminale dhe recidivizmi mund të konsiderohet si rrethanë rënduese gjatë shqiptimit të dënimit nga gjykata por se në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si pengesë gjatë shqyrtimit të kërkesës nga Paneli për Lirim me Kusht, nëse i dënuari dëshmon se është distancuar nga e kaluara përmes sjelljeve të mira. Prandaj , pendimi i sinqertë, në formë të shkruar dhe qëndrimi ndaj viktimës është një kriter abstrakt që nuk mund të matet me asgjë. Vetëm sjellja e mirë mund të bind se i dënuari ka pranuar programin e risocializimit.
Për KMDLNj–ë, përbërja e PLK paraqet problem për faktin se mungojnë profile profesionale që kanë kompetencë të vendosin nëse i dënuari i ka plotësuar kushtet për lirim me kusht. Dhe, së fundi, rreth PLK, për KMDLNj–ë është krejtësisht e papranueshme dhe joprofesionale përmbajtja e refuzimit për lirim me kusht ku në mënyrë stereotipike dhe të përgjithshme përsëritet se:“ i dënuari nuk e ka kaluar programin e risocoalizimit…”, pa dhënë asnjë arsye konkrete për çfarë arsye nuk e ka kaluar ende programin e risocializimit ndonëse parashtruesi i kërkesës për lirim me kusht, me vite të tëra i shfrytëzon të gjitha beneficionet dhe nuk ka bërë asnjë shkelje disiplinore.
Falja nga Presidenti është pika më e ndjeshme dhe më e paefekshme deri më tani. Ndonëse, Presidenti/ja, sipas Kushtetutës së Kosovës, me data të caktuara ka të drejtë të falë të dënuar në bazë të rekomandimit të Komisionit Ad Hoc por se nuk ka detyrim ta përfillë këtë rekomandim, deri më tani del se kjo falje është larg pritjeve të të dënuarve dhe në shpërputhje të madhe me kërkesat. Nëse nga 500 apo 600 kërkesa për falje i kemi vetëm 4-5 falje, KMDLNj këtë e konsideron më shumë tallje, se falje. Kjo mënyrë e faljes i shkakton shumë probleme pikërisht Shërbimit Korrektues të Kosovës që përgatit kërkesat dhe dosjet për 500 apo 600 të dënuar ndërsa faljet janë simbolike. Me Ligj është e përcaktuar se cilat vepra nuk mund të përfshihen në falje nga Presidenti/ja prandaj për KMDLNj–ë është i papranueshëm presioni që pastaj bëhet për ndonjë falje e cila nuk është përfshirë në mesin e veprave të ndaluara për falje.
Ligji për Amnisti: KMDLNj mendon se duhet të fillohet sa më shpejtë që të jetë e mundur hartimi i një Ligji për Amnisti duke marrë në konsideratë praktikat e mira të vendeve të rajonit dhe të tjera. Ky Ligj që mungon ka qenë dhe vazhdon të jetë burim i pakënaqësisë i personave të privuar nga liria në Kosovë e që është manifestuar me greva të të burgosurve dhe kundërshtime tjera sikur që paraqet shqetësim edhe për organizatat për të drejtat e njeriut.
KMDLNj–ë inkurajon Ministrinë e Drejtësisë që në kuadër të reformave të premtuara, një vëmendje të veçantë t’ua kushtojë përmirësimit të kushteve për personat e privuar nga liria dhe stafit korrektues dhe administrativ, sidomos në fushën e ekzekutimeve të sanksioneve penale përkatësisht zbatimin më efikas të mekanizmave ligjorë që rregullojnë përfitimet e të dënuarve që kanë sjellje të mira siç janë: shtimi i pushimeve të fundjavës në shtëpi, për ata që punojnë rregullisht, shfrytëzimi i pushimit vjetor në përputhje me Ligjin e Punës, lirimi nga PLK duke eliminuar pengesat burokratike, Ligji për Amnisti, Zëvendësimi i burgut me masa alternative të dënimit pas vuajtjes së një pjesë të dënimit për vepra me rrezikshmëri më të ulët si dhe mundësia që viti i vuajtjes së dënimit të mos llogaritet 12 muaj por 10 muaj. Këto masa dukshëm do të ndihmonin realizimin e suksesshëm të programit të risocializimit, do të motivonin të dënuarit për sjellje të mirë sepse shteti po ofron ofertë konkrete për ata të dënuar që sillen mirë, do ta kursenin buxhetin e Kosovës si dhe do ta ndihmonin shumë punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës . /Telegrafi/