Site icon Telegrafi

KMDLNj: Sulmet me molotov s’duhet të mbeten të pandëshkuara

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka kërkuar përmbajtje dhe distancim nga veprime të dhunshme, duke e dënuar dhunën e deritashme, që nga përdorimi i gazit lotsjellës, e sidomos përdorimin e koktejit Molotov, që seriozisht paraqet rrezik edhe për jetën e atij që sulmohet.

KMDLNj ka ftuar të gjitha palët të sillen në mënyrë të përgjegjshme, duke e përjashtuar dhunë si mjet për zgjidhjen e problemeve politike.

“Nuk ka dalje nga kriza me dhunë, kërcënime, arrestime të deputetëve, gaz lotsjellës, koktej Molotovi, arrogancë të numrave, bojkot, kushtëzim apo shantazhim për përfitime personale dhe politike. Kjo pikërisht po ndodh sot në Kosovë”, thuhet në reagim.

Ja reagimi i plotë i KMDLNj-së:

“Thuaja se në shtatë muajt e fundit në Kosovë patëm një situatë të jashtëzakonshme politikedhe të sigurisë e cila dita ditës vetëm sa përshkallëzohej përkundër kërkesave të shumta, vendore dhe ndërkombëtare për qetësimin e saj. Gazi lotsjellës, si mjet jo demokratik dhe i dhunshëm që më parë përdorej vetëm nga policia tash u bë si pi kë e pashmangshme e rendit të ditës e seancave të Kuvendit.

Gjuajtja me vezë në vende publike e ministrave dhe atyre që nga opozita identifikoheshin si keqbërës, edhe në prani të familjes u shndërrua në dukuri dhe nuk ka të ndalur. Dëmtimi i veturave, pronë publike por edhe private, sidomos kohëve të fundit është shndërruar në rutinë e cila nuk po zbulohet dhe si e tillë po mbetet e pa ndëshkuar.

Hedhja e gurëve dhe gjësendeve të tjera të forta në drejtim të policisë dhe objekteve të institucioneve të Kosovës është bërë si aktivitet normal i protestuesve të cilët po e quajnë veten paqësorë duke i arsyetuar këto veprime si e vetmja mundësi për kundërshtim të vendimeve të pozitës pavarësisht se me këto veprime rrezikojnë veten dhe të tjerët. Partitë opozitare i kundërshtojnë institucionet ekzistuese e sidomos bartësit e posteve të këtyre institucioneve si jolegjitime, prandaj kërkojnë të shkojnë në zgjedhje të parakohshme , si e vetmja zgjidhje. Deputetët e partive opozitare po bëjnë përpjekje maksimale ta pengojnë punën e Kuvendit të Kosovës ndërsa nuk i refuzojnë pagat e deputetëve, privilegjet si deputetë dhe për veprimet e tyre thirren në mandatin e deputetit apo në imunitetin e deputetit. Për këtë arsye sillen shumë keq me sigurimin dhe policët e Kosovës duke i shpërfillur urdhrat e tyre, duke i injoruar ata deri në përbuzje dhe poshtërim, duke i gjuajtur me shishe uji, gjësende të forta apo në disa raste edhe me koktej Molotovi.

Qytetarët e Kosovës kanë qenë dëshmitarë okularë por edhe përmes mediave të shohin se si deputetë të caktuar fyejnë, kërcënojnë apo edhe iu vihen pas policëve të Kosovës të cilët në shumë raste kanë treguar durim, profesionalizëm dhe përmbajtje të skajshme përballë sjelljeve të pahijshme dhe të papranueshme të disa deputetëve të papërgjegjshëm, mujsharë dhe arrogantë që kanë abuzuar me postin që e kanë apo me “imunitetin” që i kanë dhënë veti të veprojnë si të duan.

Forma më e rrezikshme që po përdoret kohëve të fundit është përdorimi i koktejit Molotov me të cilin u sulmua shtëpia e kryeministrit Mustafa, objekti i qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit, automjetet e policisë së Kosovës dhe vet policët e Kosovës. Për pasojë pati edhe veprime policore të tepruara ( bastisja e selisë së Vetëvendosjes ), përdorimi i forcës në s’përputhje me rrezikun ndaj disa protestuesve pasi u arrestuan, gjatë dërgimit në stacione policore por edhe në stacionet policore sikur edhe arrestimet e një numri të madh të opozitës.

KMDLNj shpreh shqetësimin se këto veprime të dhunshme mund të provokojnë reagime të dhunshme sikur që ishte rasti i rrahjes së një aktivisti që gjuajti me vezë ministrin Krasniqi dhe pasojat do të jenë të rënda për të dyja palët, për ata që po sulmojnë botërisht dhe tinëzisht sikur edhe për të sulmuarit. Andaj, KMDLNj kërkon përmbajtje dhe distancim nga veprime të dhunshme duke e dënuar dhunën e deritashme, që nga përdorimi i gazit lotsjellës e sidomos përdorimin e koktejit Molotov që seriozisht paraqet rrezik edhe për jetën e atij që sulmohet. Këto sulme nuk duhet të mbeten të pa ndëshkuara kushdo qoftë prapa tyre.

E drejta për protestë paqësore dhe kundërshtim të vendimeve politike, gjithashtu me mjete paqësore, është e drejtë elementare e njeriut, si shprehje e lirisë së fjalës dhe lirisë së organizimit vetëm nëse është në përputhje me ligjet në fuqi e që nënkupton marrje e lejes nga policia për protestë si veprohet në të gjitha vendet demokratike dhe si e tillë duhet të përkrahet nga të gjithë dhe nuk mund të kundërshtohet. Protestat e dhunshme nuk kanë të bëjnë me asgjë me të drejtat e njeriut përveç se i shkelin ato dhe si të tilla duhet të kundërshtohen. Problemet politike duhet të zgjIdhen vetëm me dialog dhe mjete politike dhe në rrethana të tilla nuk ka çështje e cila nuk do të duhej të diskutohej.

Demokracia i ka rregullat dhe forca politike përcaktohet në bazë të votave të qytetarit i cili, ashtu si ta jep besimin, gjithashtu edhe ta merr besimin e dhënë. KMDLNj fton të gjitha palët të sillen në mënyrë të përgjegjshme duke e përjashtuar dhunë si mjet për zgjidhjen e problemeve politike dhe duke e përdorur dialogun si mjet për zgjidhje gjë që nuk e kanë bërë deri më tani. Nuk ka dalje nga kriza me dhunë, kërcënime, arrestime të deputetëve, gaz lotsjellës, koktej molotovi, arrogancë të numrave, bojkot, kushtëzim apo shantazhim për përfitime personale dhe politike. Kjo pikërisht po ndodh sot në Kosovë. Kosova aktualisht ndodhet në udhëkryq ku janë vetëm dy rrugë, ajo drejt demokracisë dhe ajo drejt anarkisë!”.

Exit mobile version