Site icon Telegrafi

KMDLNj: Sigurinë dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Prishtinës po e rrezikojnë qentë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka reaguar pas rasteve të fundit ku qentë kanë sulmuar qytetarët në Prishtinë.

KMDNj thotë se Komuna e Prishtinës por edhe Qeveria e Kosovës përmes ministrive përkatëse duhet të ndajë mjete shtesë për organizatat që merren me trajtimin dhe strehimin e qenve, transmeton Telegrafi.

“Mungesa e ushqimit po i bënë qentë edhe më agresivë andaj komuna e Prishtinës deri në kohën kur të jetë në gjendje të bëjë një zgjedhje të përhershme për qentë e kryeqytetit , do të duhej të sigurojë ushqime për qentë e kryeqytetit për të mbajtur nën kontrollë agresivitetin e tyre”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

Kohë më parë qenë të kryeqytetit të Kosovës në Prishtinë sulmuan një nxënës të shkollës fillore sikur edhe një grua dhe vetëm intervenimi i kalimtarëve të rastit i shpëtoi nga më e keqja. Edhe më herët,po këta qenë të kryeqytetit kanë sulmuar persona të moshuar apo qytetarë tjerë duke ua bërë të pasigurt lëvizjen e tyre. Vetëm pas këtyre sulmeve dëgjohet zëri i autoriteteve komunale , më shumë arsyetues se sa parandalues.

KMDLNj edhe më herët ka tërhequr vërejtjen për rrezikun me të cilën përballen qytetarët e Prishtinës nga qentë endacakë , numri i të cilëve kohëve të fundit është rritur shumë dhe se janë të vendosur kryesisht në qendër të kryeqytetit përkatësisht në Sheshin Nënë Tereza apo rreth kontejnerëve ku vendosen mbeturinat dhe ku kërkojnë ushqime.

Natyrisht se KMDLNj ka mirëkuptim për autoritetet e kryeqytetit që nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm profesional dhe material për trajtimin dhe strehimin e përhershëm të qenve endacakë mirëpo , në anën tjetër , kjo situatë që nuk po menaxhohet si duhet , për arsye objektive dhe subjektive mund të rrezikojë seriozisht shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve të Prishtinës. Gjithashtu organizatat që merren me mbrojtjen, në rastin konkret të qenve endacakë, duket se nuk po kanë fonde të mjaftueshme që të realizojnë programin e tyre.

Problemi i qenve endacakë në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë apo trajtohet si çështje që i takon vetëm institucioneve të kryeqytetit por se duhet që edhe ministritë përkatëse të kontribuojnë në zgjidhjen e këtij problemi.

Përkundër faktit se komuna e Prishtinës i ka shenjëzuar qentë e kryeqytetit sikur që e kanë bërë sterilizimin për të mbajtur nën kontroll numrin e tyre, vërehet se rrugëve të kryeqytetit ka qenë të ardhur e që nuk janë të shenjëzuar e që nënkupton se as që janë trajtuar me vaksina apo është bërë sterilizimi i tyre.

Komuna e Prishtinës por edhe Qeveria e Kosovës përmes ministrive përkatëse duhet të ndajë mjete shtesë për organizatat që merren me trajtimin dhe strehimin e qenve, të rrisë kapacitetin e strehimoreve në mënyrë që të krijohen kushtet dhe mundësitë që qentë e kryeqytetit të trajtohen në kushte më të mira dhe të mos paraqesin rrezik për jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Në të kundërtën, për çdo pësim eventual të qytetarëve të Prishtinës përgjegjësia do të adresohet te autoritetet e kryeqytetit.

Mungesa e ushqimit po i bënë qentë edhe më agresivë andaj komuna e Prishtinës deri në kohën kur të jetë në gjendje të bëjë një zgjedhje të përhershme për qentë e kryeqytetit , do të duhej të sigurojë ushqime për qentë e kryeqytetit për të mbajtur nën kontroll agresivitetin e tyre. Përveç se këta qenë po e rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve të Prishtinës , qarkullimi i tyre dhe vendosja në sheshet dhe rrugët kryesore të kryeqytetit të Kosovës po i krijon një pasqyrë të keqe. KMDLNj vlerëson se qentë e kryeqytetit duhet të trajtohen më mirë dhe krejtësisht duhet të zhvendosen nga qendra e Prishtinës dhe nga vet kryeqyteti.

Aktualisht, sigurinë dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Prishtinës po e rrezikojnë qentë e kryeqytetit apo qentë e Shpendit sikur edhe ndërtimet e shumta që e kanë shndërruar kryeqytetin në Hiroshimë arkitektonike.

Nuk ka vend në botë ku rrugëve kryesore të kryeqytetit lëvizin gjatë 24 orëve betonjerkat dhe kamionët e shumtë me dhe sikur edhe me materiale inerte dhe kur ndërtimet vazhdojnë edhe në orët e vona të natës. Mjetet e transportit për materiale inerte sikur edhe betonjerkat e shumta , përveçse e bllokojnë kryeqytetin , në shumë vende kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën rrugore , gypat e kanalizimit dhe ujësjellësit duke u shkaktuar shumë probleme qytetarëve.

Gjatë fushatave parazgjedhore për zgjedhje lokale, kandidatët për kryetar të Prishtinës patën premtuar një Prishtinë metropolitane, rregullimin e transportit publik me tramvajë , ndërtimin e metros deri në Fushë Kosovë , hapësira të gjelbërta dhe parqe, Shtëpinë e Operas , parkingje të mjaftueshme nëntokësore dhe mbitokësore ndërkaq që nuk kanë qenë në gjendje ta ndërtojnë as edhe një WC të vetme publike.

Tash , qartazi po duket se Prishtina është shndërruar në kryeqytet të qenve dhe mundësi e hatashme që përmes ndërtimeve të pakontrolluara të legalizohet mafia e ndërtimit e që në fakt po i riciklon paratë e pista dhe të fituara nga aktivitetet kriminale ( një pjesë e tyre ) ndryshe nuk mund të kuptohet ndërtimi aq i madh i banesave kurse çmimi i tyre asnjëherë nuk ulet në kohën që nuk ka nevojë për aq shumë banesa . Në mungesë të hapësirave të gjelbërta dhe hapësirave për rekreacion , Prishtina po shndërrohet në varrezë masive arkitektonike”./Telegrafi/

Exit mobile version