Site icon Telegrafi

KMDLNj: Shërbimi Korrektues të përfshihet në Pakon Emergjente

E pakënaqur me trajtimin që po u bëhet pjesëtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës , Sindikata e SHKK ka paralajmëruar grevë për realizimin e të drejtave të tyre në përgjithësi dhe të drejtave të mohuara gjatë pandemisë së shkaktuar nga COVID – 19 , në veçanti.

Këshilli pë Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka thënë se sindikata e SHKK –së , edhe më parë pati paralajmëruar , me të drejtë protesta shkaku se trajtimi ndaj oficerëve korrektues , administratës dhe stafit tjetër ishte në shpërputhje me përgjegjësitë e këtij shërbimi dhe punën që , sipas monitorimit shumëvjeçar të KMDLNj –së , e bëjnë shumë mirë.

“SHKK që nga përfundimi i luftës ka kaluar nëpër periudha të vështira deri në kohën që është konsoliduar dhe , pa asnjë dyshim tani është shërbimi më i mirë në rajon dhe shumë afër të përmbushjes së standardeve të kërkuara edhe për shtetet perëndimore ndonëse ka munguar përkrahja e duhur institucionale apo ajo ka qenë e pamjaftueshme”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas KMDLNj –së , pjesëtarët e SHKK –së duhet të trajtohen në nivel të trajtimit që iu bëhet Policisë së Kosovës e që nuk është bërë deri më tani.

“Kërkesat e Sindikatës së SHKK janë plotësisht të arsyeshme dhe kanë mbështetje në ligjet në fuqi sikur që edhe në aspektin material nuk përbëjnë një ngarkesë të madhe për Buxhetin e Kosovës dhe , në të njëjtën kohë ndihmojnë në ngritjen e cilësisë së punës dhe shërbimeve , në radhë të parë për trajtimin e personave të privuar nga liria sikur edhe për stafi”, thuhet më tej në njoftim.

Në këtë kontekst KMDLNj përkrah këto kërkesa sikur që edhe më parë është angazhuar për realizimin e tyre duke adresuar këto probleme te institucionet përgjegjëse. Tash , me hartimin e Ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës ku KMDLNj ka dhënë një kontribut të çmuar , po krijohet një bazë ligjore për fuqizimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës në aspektin profesional dhe material duke siguruar të hyra vetanake që do të kenë efekt konktret në përmirësimin e kushteve për stafin , për të privuarit nga liria sikur që do të kursehet edhe Buxheti i Kosovës.

“Deri atëherë kur të fuqizohet dhe operacionalizohet Njësia Ekonomike e SHKK-ës , Institucionet e Kosovës duhet të përkrahin SHKK –ën , dhe në këtë kontekst KMDLNj kërkon nga Ministria e Derjtësisë përkatësisht nga ministri Selim Selimi të angazhohen më shumë për të ndihmuar SHKK –n në kohën e transicionit nga një institucion krejtësisht i varur nga Buxheti i Kosovës në një Agjencion , kryesisht vetmbajtës siç e parasheh Ligji për Shërbimin Korrektues të Kosovës . KMDLNj kërkon nga kryeministri i ,Avdullah Hoti që me urgjencë të shqyrtojë dhe plotësojë kërkesat e arsyeshme të Sindikatës së SHKK –së në mënyrë që të mos ketë nevojë për greva dhe ndërprerje të punës së këtij institucioni me rëndësi të veçantë për sigurinë e qytetarëve dhe të shtetit .

KMDLNj kërkon nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta dërgojë Ligjin për Shërbimin Korrektus të Kosovës për votim në Kuvendin e Kosovës sikur që kërkon nga deputetët e Kuvendit ta votojnë këtë Ligj i cili do të ndikojë dukshëm në rritjen e cilësisë së trajtimit për personat e dënuar , përparimin e të drejave të tyre , ngritjen profesionale të stafit korrektues dhe përmirësimin e statusit material të tyre përmes sigurimit të të hyrave vetanake e që , për shkak të mungesës së bazës ligjore nuk është realizuar deri më tani”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version