Telegrafi

KMDLNJ: Serbët e transferuar në burgun e Gërdocit nuk janë në grevë urie

Monitorues të KMDLNj-së, në kuadër të mandatit për respektimin e të drejtave të personave të privuar nga liria vizituan Burgun për Siguri të Lartë në Gërdoc, pas njoftimit se janë transferuar 4 persona të privuar nga liria të nacionalitetit serb nga Qendra e Paraburgimit të Mitrovicës.

Në njoftim thuhet se monitoruesit takuan nga afër dhe biseduan me të transferuarit ( 3 nga ta, sepse njëri ndodhej në seancë gjyqësore).

“J. J. i dënuar, mirëpo ende jo të formës së prerë i deklaroi KMDLNj –së se ai nuk ka asnjë vërejtje për Burgun e Sigurisë së Lartë dhe e vetmja kërkesë e tij ishte që të kthehej në Mitrovicë për arsye të kushteve ekonomike jo të mira e cila i pamundëson vizitat e familjes. Ai pohoi gjithashtu se me të ardhur në BSL është vizituar nga mjeku, psikologu, psikiatri, punëtori social dhe drejtuesit e Burgut për të diskutuar mbi gjendjen psiko-fizike të tij. Ai deklaroi se nuk ka asnjë vërejtje sa i përket kushteve, trajtimit, ushqimit, trajtimit shëndetësor. Ai ka të angazhuar avokatin sipas detyrës zyrtare”, thuhet në një komunikatë për media të Këshillit.

Siç potencohet në komunikatë N. V i dënuar me vendim të formës së prerë, gjithashtu i transferuar nga Qendra e  Paraburgimit në Mitrovicë i deklaroi KMDLNj – së se më shumë preferon të qëndrojë në Burgun e Sigurisë së Lartë.  Ai pohon se parapëlqen të qëndrojë në BSL për shkak të kushteve dhe trajtimit më të mirë. Gjithashtu, i lartcekuri ka marrë gjithë tretmanin e nevojshëm me të ardhur në BSL.

“Edhe i paraburgosuri Z. V u shpreh se nuk kishte asnjë ankesë për tretmanin dhe kushtet në BSL. Të gjithë të transferuarit (3 nga ta) pohuan se i kanë marrë të gjithë gjësendet personale nga Q.P Mitrovicë dhe se janë njoftuar familjet e tyre mbi transferin. Gjithashtu, asnjëri nga ta nuk ndodhet në grevë urie”, thuhet në komunikatën e Këshillit.

Sipas Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale të privuarit nga liria duhet të vendosen në qendrat e privimit të lirisë sa më afër familjeve të tyre, në mënyrë që ta kenë më të lehtë kontaktin me familjen dhe të realizojnë vizitat familjare.

KMDLNj vlerëson se është shkelje e të drejtave të personave të privuar nga liria që të transferohen pa vendim dhe pa paralajmërim, siç është rasti me transferin e bërë. Gjithashtu, vendimi mbi transferim duhet të ketë të qartë edhe periudhën kohore të transferimit, e cila duhet të vlejë për të gjithë pa dallime. /Telegrafi/