Site icon Telegrafi

KMDLNJ reagon për ndërprerjen e seancës në mungesë të deputetëve të pozitës

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me ndërprerjen e seancës së Kuvendit të Kosovës në mungesë të deputetëve.

KMDLNJ thekson se përfituesit e papërgjegjshëm duhet të trajtohen në përputhje me pandërgjegjshmërinë e tyre!

“Kuvendi i Kosovës sot më së paku i ngjanë një vendi ku të zgjedhurit e popullit i përfaqësojnë dhe i mbrojnë interesat e atyre që i kanë votuar. Ky Kuvend u shndërrua në një arenë gladiatorësh , penguesish të punës dhe përfituesish material që përveç se nuk e kryejnë detyrën e tyre, në mënyrë të papërgjegjshme shpërdorojnë taksat e votuesve të tyre duke mos i arsyetuar mëditjet, por edhe pagën e deputetit me asgjë të dobishme. Jemi dëshmitarë që shumë seanca ndërpriten para përfundimit të tyre ose nuk fillojnë fare pikërisht shkaku i mungesës së deputetëve apo shkaku i mashtrimit të tyre jonormal, nënshkruhen në fillim sa për të hyrë në listën e përfituesve të mëditjeve e pastaj shkojnë në vendin e rregullt të tyre të punës, kafiteritë dhe restorante e qytetit”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

KMDLNj mendon se është koha e fundit që kryetari i Kuvendit me Kryesinë të shohin mundësinë që përmes ndryshimit të Rregullores së Punës të vendoset një rregull dhe të vendoset një disiplinë e punës me ç’rast deputetët që i bojkotojnë seancat e Kuvendit, ata që kanë sjellje në s’përputhje me mandatin e deputetit të sanksionohen, duke ua pamundësuar marrjen e mëditjeve por edhe pagën e deputetëve nëse këto nuk i arsyetojnë me praninë e tyre në seancë dhe angazhim konkret për çka edhe kanë marrë votën.

“Lista e të nënshkruarve duhet të kontrollohet dhe në rast të nënshkrimit vetëm sa për mëditje dhe largim nga salla e Kuvendit pa e arsyetuar largimin, nënshkrimet duhet të konsiderohen si të pavlefshme dhe ata deputetë duhet të sanksionohen, duke ua hequr mëditjet dhe privilegjet e tjera. Në një shoqëri normale ku do të duhej të hyjë edhe një Kuvend normal, nuk mund të ketë vetëm privilegje pa i përmbushur paraprakisht detyrimet ndaj vendit të punës”, thuhet në reagimin e KMDLNJ.

Deputetëve spekulues dhe krejtësisht pasiv nuk duhet t’u jepet mundësia të realizojnë vizitë jashtë vendit, në emër të angazhimeve kuvendore sikur as përdorimi i veturave zyrtare për nevoja private , familjare dhe turistike, pavarësisht vendit që e kanë në hierarki.

“KMDLNj konstaton që puna e Kuvendit të Kosovës nuk i arsyeton mjetet që shpenzohen dhe se Kuvendi nuk mund të shërbejë vetëm për përmbushjen e agjendave ndërkombëtare , pranimit të personaliteteve ndërkombëtare por detyrimi parësorë është miratimi i ligjeve dhe zgjedhja e bartësve të posteve e që janë në kompetencë të Kuvendit të Kosovës që nënkupton se përfaqësimi dhe mbrojtja e interesit të qytetarit duhet të jetë përcaktimi dhe përkushtimi kryesor i deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

KMDLNj mendon se prania e opozitës në Kuvend është e domosdoshme për funksionimin e demokracisë dhe mbarëvajtjen e punës në Kuvend dhe nëse edhe më tutje kemi situata kur mungon kuorumi atëherë vihet në pikëpyetje puna e Kuvendit dhe ai duhet të shpërbëhet”, thuhet në reagim.

Pse opozita nuk merr pjesë në punët e Kuvendit të Kosovës për KMDLNj – në është e ditur sepse ata vet janë deklaruar, por pse deputetët e pozitës nuk marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe nuk mund të sigurohet kuorumi  për KMDLNj – në është e pakuptueshme sikur që është edhe më e pakuptueshme pse deputetët e opozitës dhe pozitës marrin paga dhe mëditje për punën që nuk e bëjnë.  /Telegrafi/

Exit mobile version