Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për konsumatorët e papërgjegjshëm që nuk i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar dhe shërbimet tjera komunale, në të kundërtën, as konsumatorët tjerë nuk do të duhej t’i paguajnë faturat.
KMDLNJ thekson se nëse shteti ua paguan rrymën dhe shpenzimet tjera komunale serbëve në veri të Kosovës, pa e përfillur fare gjendjen e tyre ekonomike atëherë, po ky shtet duhet t’i lirojë nga pagesa kategoritë e qytetarëve në gjendje të rëndë ekonomike apo të mbulojë një pjesë të këtyre shpenzimeve.
“Institucionet e Kosovës përkatësisht Qeveria e Kosovës duhet ta ndërprejë këtë praktikë të mbrapshtë të zbatimit të standardeve të dyfishta për qytetarë të të njëjtit vend dhe nuk do të duhej të trajtojë qytetarët sipas përkatësisë etnike apo oportunitetit politik”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka marr vendim që KOSTT-i të marrë përgjegjësin për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm. /Telegrafi/