Site icon Telegrafi

KMDLNj: Pse po dërgohen Njësitë speciale në veri, për Vulinin apo për përfitime politike?

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) përmes një reagimi për media thekson se dërgimi i Njësive speciale të Policisë së Kosovës për arrestimin e një delinkuenti kufitar siç përpiqet të bëhet Aleksandar Vulin është pikërisht ajo që e do Beogradi.

KMDLNj thekson se Vulin nuk duhet të arrestohet nga Policia Speciale, por nga policia e rregullt, që janë në detyrë sikur kur arrestohen kriminelët ordinerë.

Lexoni të plotë reagimin e KMDLNj-së:

“Pse po dërgohen Njësitë speciale në veri, për Vulinin apo për përfitime politike

Ministri i Mbrojtje së Serbisë, Aleksandar Vulin përkundër faktit se i është refuzuar leja për hyrje në Kosovë, përsëri ka bërë përpjekje të hyjë në Kosovë. Forca të Policisë së Kosovës përkatësisht Njësitë speciale janë nisur në drejtim të veriut për ta penguar hyrjen e ministrit të qeverisë së Serbisë, i njohur për arrogancën e tij verbale, nxitjen e urrejtjes ndërnacionale dhe instrumentalizimin e serbëve të Kosovës për qëllime politike dhe nevoja të Serbisë.

Nisja e Njësitit special të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës për ta arrestuar një provokator të qëllimshëm  është vënie në kurth për Policinë e Kosovës dhe vet Kosovën nga ana e Serbisë, për ta paraqitur Kosovën si vend të dhunshëm që i rrezikon serbët, të drejtat e tyre duke ua kufizuar lirinë e lëvizjes pikërisht në kohën kur duhet të merret vendimi për liberalizim të vizave dhe bisedave të paautorizuara midis Thaçit dhe Vuçiqit.

Policia e Kosovës, e sidomos politika (presidenti Thaçi dhe ministri Pacolli ) është dashur të nxjerrin mësime nga rasti Gjuriq e sidomos rasti i kidnapimit të 6 shtetasve turq, të cilësuar si gylenistë, me leje të rregullt qëndrimi dhe pune, për t’i dorëzuar në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe ligjeve të vendit, autoriteteve turke, në një terr informativ dhe duke ua shkelur të gjitha të drejtat e njeriut, duke e vënë kështu Kosovën në mesin e shteteve shkelëse flagrante e këtyre të drejtave.

Edhe për rastin Gjuriq është dashur të nxirret mësimi, jo për shkak të arrestimit të tij që ka qenë krejtësisht i mbështetur në ligj por për shkak të trajtimit të tij poshtërues dhe çnjerëzorë rrugëve të Prishtinës.

Rasti Gjuriq është dashur ta ketë një përfundim në përputhje me ligjin që trajton rastet e kalimit ilegal të kufirit. Ai pasi është arrestuar është dashur të dënohet dhe pastaj, pasi t’i ketë  shfrytëzuar  të drejtat e ankimimit, është dashur të ekstradohet apo t’i shqiptohet një masë tjetër.

Kështu trajtohen këto raste në të gjitha vendet ku sundon ligji dhe shteti i së drejtës dhe Kosova, në rastin konkret nuk ka pasur asnjë detyrim të bëjë përjashtime.

Aleksandar Vulin nuk duhet të pengohet të hyjë në Kosovë dhe ndaj tij duhet të veprohet sikur ndaj të gjithëve që e kalojnë ilegalisht kufirin. Ai nuk duhet të arrestohet nga Policia Speciale por nga policia e rregullt , që janë në detyrë sikur kur arrestohen kriminelët ordinerë.

Dërgimi i Njësive speciale të Policisë së Kosovës për arrestimin e një delikuenti kufitar siç përpiqet të bëhet Aleksandar Vulin është pikërisht ajo që e do Beogradi dhe me këtë veprim të pamatur do të jetësohej parashikimi i Vuçiqit se Kosova me forcë do ta pushtojë veriun.

Njësitë Speciale duhet të përdoren për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në gjithë territorin e Kosovës, pa përjashtime dhe pa bërë dallime në baza etnike, rajonale, politike, statusit në shoqëri etj. Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës nuk duhet të bëhen apo mbesin peng i vendimeve politike të personave të papërgjegjshëm sepse në këtë mënyrë vetëm sa e dëmtojnë Kosovën.

Janë së paku 100 arsye që në veri të Kosovës të dërgohen njësitë speciale të Policisë së Kosovës e që nuk dërgohen kurse nuk ekziston edhe një arsye e vetme që të dërgohen për Aleksandar Vulinin apo pionët e tjerë të Beogradit që përdoren për qëllime politike.

Policia e Kosovës duhet të sigurojë mbarëvajtjen e festës së Vidovdanit, të cilën e festojnë serbët dhe e cila nuk mund dhe nuk duhet të pengohet përveç rasteve kur veprohet kundër rregullave të një manifestimi që parashihet me ligjet në fuqi.

Çfarë kuptimi dhe dobie ka Kosova nëse forcat speciale e arrestojnë Vulinin , e tërheqin zvarrë rrugëve sikur që vepruan me Gjuriqin dhe të njëjtën ditë e kthejnë në Serbi !

Kthjelluni  ju që jepni urdhra për të manipuluar me Policinë e Kosovës për qëllime ekskluzivisht politike dhe personale”. /Telegrafi/

Exit mobile version