Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut votimin për balotazh me datë 19 nëntor, e vlerëson si të rregullt, në kuadër të standardeve ndërkombëtare, me shumë pak parregullsi që nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
KMDLNj thekson se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka treguar profesionalizëm dhe efikasitet gjatë trajtimit të procesit zgjedhor si dhe me publikimin e rezultateve preliminare të zgjedhjeve.
“Pavarësisht rezultateve preliminare e që sipas KMDLNj –së nuk do të ndryshojnë, subjektet garuese duhet t’i pranojnë ato duke uruar konkurrentët për fitore sikur se duhet të ofrojnë bashkëpunim për të mirën e qytetarëve të komunave, pavarësisht kush ka fituar aq më parë që kryetarët e zgjedhur duhet dhe i përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve të komunave”, thuhet në njoftim.
Sipas KMDLNJ-së, koalicionet kryesisht joparimore me qëllim të marrjes së pushtetit dhe rezultatet që dallojnë për një grusht votash paraqesin rrezik për funksionimin normal të pushtetit lokal në ato komuna si dhe krijimin e situatave bllokuese në vendimmarrje dhe zbatimin e projekteve të ndryshme e të rëndësishme për përparimin e komunave.
KMDLNJ thekson se përkundër vlerësimit shumë pozitiv të tërë procesit zgjedhor të zgjedhjeve lokale në Kosovë, rezultati i zgjedhjeve sidomos në disa komuna lë hapësirë për krijimin e situatave bllokuese e që nuk do të ishte e dëshirueshme për shëndetin e pushtetit lokal.
“Megjithatë, le të shpresojmë se zhvillimet do ta marrin drejtimin e duhur”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/