Site icon Telegrafi

KMDLNJ me porosi për qytetarët: Mos blini mallra serb

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka akuzuar shefen e diplomacisë evropiane dhe komisionarin për Zgjerim, se po mbrojnë interesat e Serbisë në Kosovë, duke bërë thirrje për shfuqizimin e vendimit për statusin e Trepçës.

“BE përmes kasnecëve që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e Serbisë në Kosovë, duke ndërhyrë në mënyrë flagrante në punët e brendshme të një shteti sovran dhe të pavarur, ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës për statusin e Trepçës duke kërkuar që kjo çështje të bisedohet në Bruksel e që është no-sens i llojit të vet e që nuk do ta pranonte asnjë shtet normal. Kjo paraqet vazhdimin e goditjeve të ulëta që ia bën Brukseli Kosovës përmes lobistëve të Serbisë, Frederika Mogerini dhe Johanes Han e që e rrezikojnë tërësinë territoriale të Kosovës duke bërë ftesë të hapur për një luftë të re në Kosovë dhe Ballkan”, thuhet në deklaratë.

KMDLNJ konsideron se taksa 100% për mallrat serbe mund të pezullohet vetëm nëse zbatohet reciprociteti 100% në të gjitha fushat në raport me Serbinë.

“Edhe nëse institucionet e Kosovës detyrohen ta pezullojnë taksën 100% për mallrat serbe, KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës që 100% të refuzojnë blerjen e këtyre mallrave. Askush, nuk mund të na detyrojë të blejmë mallrat e një shteti armiqësor siç është Serbia. As politikanët pa kurrizorë kosovarë, as tajkunët e Serbisë që flasin shqip në Kosovë e që kanë edhe poste institucionale e as lobistët e Serbisë në BE , mashtruesit e dëshmuar Frederika Mogerini dhe Johanes Han”, thuhet më tej në deklaratë.

KMDLNJ kërkon nga Qeveria e Kosovës të mos ua japë rrogën zyrtarëve serbë që bojkotojnë punën e tyre dhe punojnë haptazi kundër Kosovës, duke ua hequr të gjitha privilegjet dhe t’u merren veturat zyrtare dhe t’u mohohet e drejta e vizitave jashtë vendit në emër të vendit tonë. /Telegrafi/

Exit mobile version