Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj veprimit të sigurimit të zyrave të PDK-së ndaj pjesëtarëve të shoqërisë civile të cilët protestuan dje para selive të partive politike për të kundërshtuar Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike.
Sipas njoftimit për media, KMDLNj thotë se PDK duhet t’i kërkojë falje publike shoqërisë civile.
“Në këtë kontekst, ndonëse PDK-ë është distancuar nga veprimi i sigurimit duke e cilësuar si një keqkuptim, pret të bëjë edhe një hap tutje duke i kërkuar falje publike pjesëtarëve të marshit protestues të shoqërisë civile dhe në këtë mënyrë do ta dëshmonte gatishmërinë për një komunikim normal dhe demokratik me shoqërinë civile si kusht i domosdoshëm për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe funksionimin e demokracisë, vlerë kjo në të cilën thirret edhe PDK”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
KMDLNj përkujton opinionin si dhe subjektet politike se e drejta e protestës është e rregulluar me ligj dhe është e drejtë elementare e njeriut dhe si e tillë duhet të respektohet nga të gjithë për aq sa ka karakter paqësor.
Në rastin konkret, KMDLNj vlerëson se është interes edhe i subjekteve politike që të diskutojnë me shoqërinë civile pë Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike në mënyrë që të bëhet i pranueshëm për të gjithe dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Do të ishte shumë pozitiv edhe politikisht afirmative nëse dje, në vend që sigurimi i objektit të Selisë së PDK-së të merrej me protestuesit paqësorë, dikush nga kreu i PDK-së t’i pranojë në zyrat përfaqësues protestues të shqërisë civile dhe të diskutojë për projketligjin në fjalë. Kështu do të duhej të vepronin edhe subjektet tjera”, thekson KMDLNj.
Ndërsa lidhur me këtë marsh pati folur edhe drejtori ekzekutiv i organizatës jo qeveritare D4D, Shpend Emini. Emini, në emisionin ”Përballje ditore” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com, ka shpjeguar detajet se çfarë ndodhi para selisë së PDK-së, ku pjesëtarë të shoqërisë civile u larguan nga sigurimi i kësaj partije, duke mos i lejuar ata që t’i vendosin pankartat.
Ai ka treguar për pankartat të cilat i kanë vendosur tek partitë politike, e që nuk u lejuan të vendoseshin në selinë e PDK-së.
“Ato kanë qenë lloje të fletushkave me të gjitha amandamentet, pra 27 që janë paraparë në draftligjin e ri për financimin e partive politike. Ato janë ngjitur tek të gjitha subjektet politike duke filluar nga AAK-ja, LDK-ja, PSD-ja, NISMA. Por, kur kemi ardhur tek PDK-ja kemi hasur në një kundërshtim të sigurimit të partisë, të cilët nuk na kanë lejuar t’i ngjesim këto fletushka”, është shprehur ai duke treguar se për këtë marsh kanë qenë të njoftuara edhe vetë subjektet politike./Telegrafi/