Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përmes një njoftimi për media thekson se në qendrat e paraburgimit dhe burgjet e Serbisë ka të paraburgosur dhe të dënuar, shtetas të Kosovës.
KMDLNj më tej thekson se në burgjet e Serbisë shteti i Kosovës nuk ka qasje dhe nuk ka informacione për kushtet e të privuarve nga liria dhe trajtimi i tyre nga autoritetet serbe.
“Aty–këtu sigurohet ndonjë informatë nga familjarët e të burgosurve apo mbrojtësit e tyre që nuk mund të merren si krejtësisht të besueshme për shkak të lidhjeve familjare dhe të interesit. Në çdo vend të botës, deklaratat e familjarëve të personave të privuar nga liria merren si deklarata emocionale prandaj krijojnë pakëz rezerva”, thuhet në njoftim.
Më tej bëhet e ditur se edhe në burgjet e Kosovës dhe në qendrat e paraburgimit ka të dënuar dhe të paraburgosur, shtetas të Serbisë.
“Shtetasit e Serbisë, për shkak të ndjeshmërisë etnike, trajtohen mirë dhe në disa raste e keqpërdorin përkatësinë etnike duke bërë presion te udhëheqja e institucioneve të paraburgimit dhe korrektuese shkaku se kanë kërkesa që janë në kundërshtim me rendin shtëpiak dhe LESP. Në këtë kontekst e kanë edhe përkrahjen e faktorit ndërkombëtar që është i prirur të zbatojë standarde të dyfishta e të shumëfishta. Shtetasit e Serbisë që janë në burgjet e Kosovës trajtohen mirë dhe nuk diskriminohen sa u përket kushteve fizike, ushqimit, mbrojtjes, realizimit të vizitave familjare, të drejtave fetare, aktiviteteve sportive por kanë probleme sa i përket informimit në gjuhën e tyre për shkak se programet televizive janë krejtësisht të pamjaftueshme për përmbushjen e nevojave të tyre informative dhe kulturore sikur që mungon shtypi në gjuhën e tyre amtare. Të privuarit nga liria, shtetas të Serbisë por edhe ata të Kosovës në Serbi diskriminohen rëndë shkaku se nuk iu lejohet shfrytëzimi i pushimit në shtëpi sikur që nuk fitojnë ose vetëm simbolikisht përfitojnë nga lirimi me kusht ose beneficione të tjera. Shteti i Serbisë tregon interesim vetëm për të burgosurit serbë kur keqpërdoren për qëllime politike kurse fare nuk interesohet për të dënuarit prej të cilëve nuk kanë asnjë përfitim politik”, thuhet në njoftim.
Sipas KMDNj-së, rast eklatant është e dënuara N. M shtetase e Serbisë, e dënuar me 20 vjet burg e cila sipas KMDLNj –së, nga aspekti i të drejtave të njeriut në përgjithësi e nga aspekti i të drejtave të personave të privuar nga liria në veçanti nuk do të duhej të qëndrojë në burg, por duhet të dërgohet në trajtim të detyrueshëm në institucionin përkatës.
KMDLNj propozon që përmes palës së tretë të arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për transferimin e të dënuarve në shtetet e tyre kurse ata që kanë vuajtur 2/3 e dënimit duhet të lirohen me automatizëm duke iu shqiptuar si masë sigurie ndalimi i hyrjes në këto shtete në afat 5 vjeçar.
“Kurse, edhe për rastet me probleme të pariparueshme shëndetësore ose ku kërkohet trajtim i veçantë, Kosova dhe Serbia do të vepronin në mënyrë reciproke kurse pala e tretë do të ishte garantuese për zbatimin e marrëveshjes. Deri atëherë, për shkak të injorancës politike do ta pësojnë të privuarit nga liria në burgjet e Serbisë që janë shtetas të Kosovës sikur edhe shtetasit e Serbisë që janë të burgosur në burgjet e Kosovës”, thekson më tej KMDLNj. /Telegrafi/