Për të gjitha nënat lehona të cilat në vitin e fundit nuk kanë qenë të angazhuara me punë, Qeveria e Kosovës në shtator të vitit 2021, mori vendim që të paguajë të njëjtat për periudhën gjashtë mujore me një mbështetje financiare prej 170 euro në kuadër të masës 3.5 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Kështu thuhet në reagimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) duke shtuar se pas këtij vendimi nënat lehona kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të përfituar nga kjo masë.
“Në KMDLNJ kohëve të fundit kemi pranuar ankesa se Ministria e Financave dhe e Transfereve po ua shkel të drejtën në përfitimin e kësaj të drejte të shumë nënave lehona. Disa nga to kanë qenë të angazhuara në punë një ditore, kryesisht në procesin zgjedhor në Kosovë e që pa të drejtë ka qenë arsye për Ministrinë t’ua ndalë të drejtën për këto përfitime. Ministria ka një linjë telefonike e cila gjatë 90 për qind të kohës është e paqasshme për t’u informuar në lidhje me mos pagesat e lehonave. Edhe KMDLNJ e ka vërtetuar këtë pohim të nënave lehona. Kurse, përveç linjës telefonike, ka edhe një ‘komision’ i cili i shqyrton ankesat e lehonave. Sipas pohimeve që i kemi marrë nga zyrtaret e linjës telefonike pa pagesë, ky komision nuk dihet se kush e përbënë, kur takohen, ku apo si i shqyrtojnë ankesat?! Ka një email adresë në të cilën mund të drejtohesh por që asnjëherë nuk merr përgjigje”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi.
KMDLNJ thekson se mohimi i së drejtës për t’u informuar paraqet shkelje të të drejtave të njeriut.
“Pas insistimeve të KMDLNJ-së për një rast të veçantë zyrtaret e linjës telefonike na pohojnë se ‘mos i jep zor bre se s’ka qare pa i marrë ato pare’! Mohimi i të drejtës fillimisht për t’u informuar i të gjitha nënave lehona për të realizuar të drejtën e tyre paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Qasja dhe sjellja e zyrtareve të cilat përgjigjen në linjën telefonike duhet të jetë në përputhje me sjelljen zyrtare duke respektuar të drejtën e nënave për informim. Ministria duhet urgjentisht t’u kthej përgjigje të gjitha nënave të cilat po presin përgjigje për realizimin e të drejtës së tyre. Gjithashtu, komisioni i cili vlerëson ankesat duhet të jetë më i përgjegjshëm në trajtimin e lëndëve dhe informimin e palëve për ankesën e tyre”, thekson KMDLNJ.
Po ashtu, për KMDLNJ shprehet se të gjitha nënat lehona duhet të realizojnë të drejtën e tyre në përfitimin e drejtë dhe në kohë të mjeteve.
Në fund, KMDLNJ inkurajon të gjitha nënat lehona që të paraqesin rastet e tyre.
“KMDLNJ thërret që Ministria e Financave të ndalojë vazhdimin e këtyre shkeljeve dhe të u përgjigjet të gjitha atyre që kanë parashtruar ankesë në mos realizimin e të drejtës së tyre, thuhet në komunikatë”, përfundon reagimi. /Telegrafi/