Site icon Telegrafi

KMDLNJ: Minimizohet roli kriminal i termocentraleve, bllokohet Prishtina

Këshilli për Mbrojtjen të Drejtat dhe Liritë e Njeriut përmes një komunikate për media thotë se ndalimi i qarkullimit të veturave në qendër të Prishtinës, për parandalimin e ndotjes së ajrit nuk është zgjidhje.

“Duke bërë përpjekje të minimizohet roli kriminal i TC Kosova A dhe TC Kosova B se, kinse vetëm në 8.2 % kontribuojnë në ndotjen e ajrit, ministri i subjektit politik që e bllokoi Prishtinën po manipulon në opinion duke i rënë samarit , në mungesë të guximit t’i mëshojë kalit”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.

Tutje ky këshill thekson se ky vendim përveç kaosit në trafik, ka shkaktuar edhe konfrontim të panevojshëm midis qytetarëve dhe Policisë së Kosovës e që sipas KMDLNj-së, nuk janë fajtorë për situatën e krijuar, as të parët e as të dytët.

“Ka shkaktuar mungesa në punë , në shkollë , qasje në shërbime tjera, dëme bizneseve etj. Kufizimi i lëvizjes së automjeteve nuk ka ndikuar aspak në zbutjen e ndotjes së ajrit. Pra, llogaritet si veprim i dështuar. Zona e mbrojtur apo “rripi i virgjërisë ekologjike” përfshinë vetëm rrugën “Agim Ramadani” dhe sheshin “Nëna Terezë” si dhe një copëz e bulevardit “Bill Klinton” dhe një rrip që shpie te “Mensa e Studentëve””, thekson KMDLNJ.

Sipas tyre, ata që ndërmorrën këtë veprim avanturesk, duhet të tërhiqen dhe duhet të merren në përgjegjësi.

Tutje theksohet se autoritetet përgjegjëse dështimin e qëllimshëm për ta mbrojtur mjedisin po e adresojnë te kategoria më e varfër e qytetarëve të Kosovës; shtresës sociale që, për shkaqe të rënda ekonomike është e detyruar ta përdor thëngjillin si mjet për të mos mërdhirë gjatë dimrit.

“Është jashtëzakonisht e pamoralshme që në Kuvendin e Kosovës po flasin kundër ndotjes së ajrit pikërisht ata që e kanë degraduar mjedisin, qoftë si ministra, qoftë si deputetë apo bartës të posteve tjera”, theksohet në komunikatë. /Telegrafi/

Exit mobile version