Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave kundër pandemisë COVID-19.
Sipas KMDLNJ-së, mbyllja e bizneseve pa miratim të Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike është hap drejtë anarkisë dhe falimentimit të tyre.
““KMDLNJ e kundërshton çfarëdo kufizimi të bizneseve, pa asnjë dallim, nëse Qeveria e Kosovës nuk ofron kompensim të arsyeshëm për humbjet që i pëson biznesi gjatë mbylljes apo kufizimit. Deri më tani Qeveria nuk e ka bërë këtë dhe në këtë mënyrë po bëhet varrmihëse e shumicës së bizneseve sikur edhe varfërimin e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.
Në fundjavën që shkoi, në Kosovë ka qenë e ndaluar veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste, me qëllim frenimin e përhapjes së virusit COVID-19. Po ashtu, kanë qenë të mbyllura edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.
Bizneset në Kosovë, për të mbajtur punëtorët në punë dhe për t’i rikuperuar humbjet nga pandemia, janë ndihmuar nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës në vlerë prej 60 milionë euro, por ato janë vlerësuar si të pamjaftueshme nga vetë bizneset. /Telegrafi/