Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) i ka dërguar letër të hapur kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti lidhur me gjendjen e varrezave në Prishtinë.
KMDLNj thekson se janë jashtëzakonisht të shqetësuar me gjendjen e varreze e varrezave të të gjithë besimtarëve në Prishtinë.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë letrën e KMDLNJ-së:
“Siguroni kushte për varrim dinjitoz dhe trajtim të dinjitetshëm të varrezave!
I nderuari kryetar Ahmeti,
KMDLNj është jashtëzakonisht i shqetësuar me gjendjen e varrezave (të të gjithë besimtarëve) në komunën e Prishtinës që udhëhiqet nga Ju. Mirëmbajtja dhe kujdesi për varrezat ortodokse dhe të krishtera (katolike) është kryesisht e natyrës politike dhe kujdesi për to rritet vetëm kur ato dhunohen apo vandalizohen e që kryesisht, pa përfunduar hetimet cilësohen të natyrës politike dhe etnike. Ose, pas ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve ato rregullohen sa për të thënë sikur që edhe ndahet lokacioni për bashkësi fetare të reja.
Kurse, gjendja e varrezave ku varrosen apo prehen besimtarët islam është katastrofale , e turpshme dhe nën çdo dinjitet. Kjo vlen sidomos në Lagjen Arbëria ku, për shkak të punimeve ndërtimore apo të reshurave atmosferike ka pasur dëmtime të varreve dhe shembje të tyre.
KMDLNj është i vetëdijshëm se qyteti i Prishtinës, për shkak të mbipopullimit dhe ngushtimit të hapësirës tokësore, e ka të vështirë sigurimin e një lokacioni të ri për varrezat e besimit islam e që do të ishte në përputhje me standardet e kërkuara infrastrukturore. Për këtë çështje janë zgjeruar hapësirat e lokacionit ekzistues për varreza në lagjen Arbëria e që nuk i plotëson as kushtet minimale për varrim të dinjitetshëm dhe trajtim të dinjitetshëm të këtyre varrezave. Ky degradim mjedisor në lokacionin ku janë varrezat e besimtarëve islam sidomos është i theksuar gjatë dimrit dhe në kohën e të reshurave atmosferike e që nënkupton një periudhë thuaja 6- mujore.
Nëse e bëni nje inspektim të varrezave apo e përcillni ceremoninë e varrimit në këtë kohë duhet të pajiseni me çizme gome deri në gjunjë dhe të keni kondicion t’i bartni 6-8 kg baltë që kapet për çizme. Është nën çdo dinjitet dhe e pamoralshme të varrosni të vdekurin në ato kushte sikur edhe që është e mundimshme dhe nën dinjitet për pjesëmarrjen në varrim po në ato kushte.
Varrezat e besimit islam në lagjen Arbëria, sidomos në kohën e dimrit i ngjajnë një terreni nga dokumentarët për mbijetesë në kushte ekstreme. Nëse në këta dokumentarë luftohet në rërën e gjallë, në varrezat në lagjen Arbëria luftohet me baltën e gjallë. Këto varreza , por edhe të tjerat janë nën përgjegjësinë e komunës që e udhëhiqni, qytetarët e së cilës janë taksapagues të rregullt me shpresë se do të ofroni shërbime të mira, në përputhje me taksat që i siguroni.
Nëse komuna e Prishtinës nuk ka kapacitet për mirëmbajtje të varrezave, atëherë duhet të kërkojë buxhet shtesë nga Qeveria e Kosovës. Komuna e Prishtinë duhet ta marrë si shembull komunën e Gjakovës apo të Pejës se si duhet të mirëmbahen varrezat.
Komuna duhet t’i ndërmerr të gjitha veprimet që të ndërpritetky degradim i hapësirës së varrezave, duke krijuar hapësira të gjelbra, duke mbjellë fidanë të reja dhe duke hapur shtigje në tërë këtë hapësirë nëse dëshiron ta eliminojë baltën, papastërtinë dhe dukuritë tjera degraduese.
Komuna e Prishtinës mbanë përgjegjësi për këto varreza duke krijuar kushte për trajtim të dinjitetshëm dhe duke mos e fyer për së vdekuri ata që varrosen, familjen, miqtë dhe pjesëmarrësit në varrim.
Nëse dëshironi ta dini të vërtetën e keni shumë lehtë, mjafton të merrni pjesë në një varrim por jo në pjesën ku varrosen VIP-të apo ata që më herët kanë siguruar lokacion për varrezat familjare dhe që vet i mirëmbajnë”. /Telegrafi