Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës që të ndajë mjete shtesë financiare për të mbështetur kategoritë e rrezikuara për shkak të ngritjes së çmimeve të artikujve elementarë dhe shërbimeve për qytetarët e Kosovës. Por, KMDLNJ ka kërkuar që kjo mbështetje të jetë për gjashtë muaj.
Në një komunikatë për media KMDLNj ka thënë se shpreson dhe pret që kjo përkrahje do t’i ndihmojë shumë familje që sa më lehtë ta përballojnë dimrin, aq më parë që janë ngritur shumë çmimet e naftës, rrymës dhe druve, që përdoren kryesisht për ngrohje, në raste se nuk janë të kyçur në sistemin e ngrohjes dhe “Termokosit”.
“KMDLNj e mbështet dhe e përkrah këtë vendim të Qeverisë vetëm nëse ajo ndahet në afatin së paku 6 mujor, përkatësisht për ta kaluar sezonin dimëror kur edhe kemi shpenzime shtesë. Nëse kjo përkrahje jepet vetëm për një muaj atëherë lehtësisht mund të konsiderohet si veprim i paramenduar e që do të shfrytëzohej për muajin nëntor kur është paraparë të mbahet raundi i dytë i votimit për zgjedhje lokale në 21 komuna”, thuhet në komunikatë, përcjell Telegrafi.
KMDLNJ ka gjithashtu ka përkrahur shfuqizimi i Rregullores me të cilën kushtëzohej regjistrimi i automjeteve me dëshminë e pagimit të tatimit në pronë.
“Ky është një veprim që jashtëzakonisht i ndihmon qytetarët dhe në masë të madhe do të ulë numrin e automjeteve të paregjistruara që deri më tani kanë penguar aplikimin dhe marrjen e Kartonit të Gjelbër”.
Sipas KMDLNJ, kushtëzimi i deritashëm ka qenë shkelje e të drejtave të njeriut dhe me vendim të Qeverisë është eliminuar ky kushtëzim. /Telegrafi/