Telegrafi

KMDLNJ: Higjiena në burgjet e Kosovës në gjendje të mjerueshme

Banjat në Qendrën Korrektuese në Dubravë janë të vendosura nëpër dhoma bashkë me tualete dhe gjendja e tyre është jashtë çdo standardi. Kurse, disa pavijone i kanë banjat dhe tualetet të përbashkëta për secilin krah por pastërtia e tyre nuk është në nivel të duhur.

Kështu thuhet në një raport të KMDLNj-së, ku theksohet se në këtë qendër nuk ka ujë të ngrohtë rregullisht (dy herë në javë) dhe si pasojë e kësaj të dënuarit janë të detyruar të improvizojnë metoda të rrezikshme për ngrohjen e ujit.

Ankesa në cilësinë e produkteve higjienike. Higjiena e dhomave dhe rrobave është e pamundur të mbahet për shkak të problemeve me lagështi. Si dhe në shumicën e pavijoneve nuk ka çarçafë dhe mbulesa për jastëk që disa muaj; Higjiena e dhomave dhe rrobave është e pamundur për shkak të problemeve me lagështi.

Qendra Korrektuese për të mitur dhe femra në Lipjan (femrat e dënuara dhe të paraburgosura):

Banjat janë të përbashkëta ndërsa tualetet janë nëpër dhoma dhe janë të hapura, në shumicën e tualeteve ka rrjedhje të ujit. Nëpër dhoma dhe korridor ka lagështi dhe mbajtja e pastërtisë është e vështirësuar. Furnizimi me ujë të ngrohtë është i kënaqshëm. Çarçafët ndërrohen dhe pastrohen çdo 15 ditë, ndërsa rrobat pastrohen në lavatriçe çdo javë. Furnizimet me mjete higjienike janë në nivel por cilësia është shumë e dobët.

Të miturit:

Banjat janë të përbashkëta, në shumicën e tualeteve tavani është i mykur nga rrjedhja e ujit, ndërsa pastërtia nuk është ne nivel. Furnizimi me ujë të ngrohtë është i kënaqshëm dhe te miturit pastrohen 3-4 herë në javë. Mbulesat ndërrohen dhe pastrohen çdo 15 ditë, ndërsa rrobat pastrohen në lavanderi çdo javë. Furnizimet me mjete higjienike janë në nivel, por cilësia është e dobët, thuhet në raport.

Edhe në Burgun për Siguri të Lartë në Gërdoc, sipas KMDLNj-së, të gjitha dhomat-qelitë janë të pajisura me banjo të cilat nuk janë të ndara nga hapësira tjetër e dhomës, për të cilën ka reaguar KMDLNj. Kurse banjot e pastrimit janë të përbashkëta dhe i kanë të ndara ditët e pastrimit.