Site icon Telegrafi

KMDLNJ dyshon se heqja taksës 100% ka lidhje me rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Këshilli për Mbrojtjen të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) dyshon se heqja eventuale e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, mund të ketë lidhje me rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

KMDLNJ thotë se heqja e taksës mund edhe të rishikohet.

“Realisht, ata që po zhvillojnë bisedime me Serbinë në një terr absolut janë më të interesuarit që kjo masë të hiqet, në mënyrë që të arrihet ‘një marrëveshje historike me Serbinë, detyruese’, pavarësisht se mund të ketë edhe lëvizje të kufijve në dëm të Kosovës. Tash kemi zëra edhe brenda koalicionit se heqja e taksës mund edhe të rishikohet e që nënkupton se angazhohen për heqjen e kokës së Ramush Haradinajt e cila do të shkonte bashkë me taksën 100 për qind, përmes riformatimit të qeverisë ku do të mbizotëronin ata që e përkrahin heqjen e taksës, si kusht për vazhdim të bisedimeve dhe për këtë, pandershëm e përdorin si argument kërkesën e miqve amerikanë”, thotë KMDLNj.

Sipas Këshillit, këtë kërkesë fuqishëm po e përkrahin ata që tërë jetën kanë punuar kundër interesave të qytetarëve të Kosovës.

“Pra, në 100 për qind presion për heqjen e taksës për këto mallra nga këto dy shtete armiqësisht të disponuara ndaj Kosovës, qytetarët e Kosovës duhet 100 për qind t’i bojkotojnë këto mallra, deri në një situatë tjetër”, thekson Këshilli.

KMDLNJ ka kërkuar që të përkrahet edhe Qeveria e Kosovës si dhe kryeministri Ramush Haradinaj, deri në një situatë tjetër sikur edhe çdo kryeministër tjetër eventual që e mbron sovranitetin e Kosovës dhe interesin qytetar dhe shtetëror. /Telegrafi/

Exit mobile version