Site icon Telegrafi

KMDLNJ: Duhet të lejohet puna e restoranteve dhe organizimi i dasmave

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, që në kushte të caktuara dhe me marrëveshje të lejojë punën e gastronomeve sikur edhe të lejojë organizimin e dasmave dhe ngjarjeve sportive me praninë e një numri të tifozëve, duke ruajtur distancën sociale dhe masat tjera mbrojtëse.

KMDLNJ thotë se përkrah protestat e gastronomeve dhe artistëve, si kërkesa të drejta për punë e cila është e drejtë elementare e njeriut.

Sipas tyre, rregullat dhe ligjet duhet të vlejnë për të gjithë.

“Qeveria e Kosovës duhet të tregohet shumë e vëmendshme në trajtimin e këtyre rasteve aq më parë që nuk ka mundësi të kompensojë këto biznese për dëmet e mëdha që u janë shkaktuar. Prandaj duhet të lejojë punën e tyre duke respektuar të gjitha masat e sigurisë”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Pronarët e restoranteve protestojnë para qeverisë, kërkojnë që të lejohet organizimi i dasmave

Njoftimi i plotë

Ndonëse numri i të infektuarve nga COVID-19, pas largimit të masave shtrënguese po shënon rritje, KMDLNJ vlerëson se qeveria e Kosovës ka bërë mirë për këto masa aq më parë që thuaja të gjitha vendet kanë filluar t’i kthehen normalitetit. Shumica e bizneseve janë hapur nën kushte të reja në përputhje me situatën e krijuar. Deri më tani ka ndalesë vetëm për gastronomet dhe artistët. Është ndaluar organizimi i dasmave dhe ahengjeve familjare në ndërkohë që lejohen manifestimet politike dhe partiake ku nuk respektohen aspak kriteret e përcaktuara nga institucionet e Kosovës. KMDLNJ konsideron se Policia e Kosovës nuk është dashur të lejojë aktivitetin politik të LVV -së ku dhjetëra mijëra pjesëmarrës kanë shkelur rregullat sikur që është ruajtja e distancës sociale.

Më këtë kontekst, KMDLNJ kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, që në kushte të caktuara dhe me marrëveshje të lejojë punën e gastronomeve sikur edhe të lejojë organizimin e dasmave dhe ngjarjeve sportive me praninë e një numri të tifozëve , duke ruajtur distancën sociale dhe masat tjera mbrojtëse. Qeveria e Kosovës nuk ka tjetër alternativë: ose duhet të lejojë këto aktivitete ose duhet t’i kompensojë të gjitha humbjet që i kanë pasur dhe që do t’i kenë në të ardhmen. E drejta për punë është e drejtë elementare e njeriut dhe si e tillë duhet të respektohet. Lejimi i aktiviteteve politike kundër të gjitha rregullave të sigurisë së shëndetit dhe pengimi i aktiviteteve të gastronomeve, artistëve e vë në pozitë qeverinë si abuzuese e të drejtave të njeriut për shkak të zbatimit të standardeve të dyfishta.

Në këtë rrafsh, KMDLNJ përkrah protestat e gastronomeve dhe artistëve, si kërkesa të drejta për punë e cila është e drejtë elementare e njeriut. Rregullat dhe ligjet duhet të vlejnë për të gjithë e që në rastin konkret nuk është kështu. Qeveria e Kosovës duhet të tregohet shumë e vëmendshme në trajtimin e këtyre rasteve aq më parë që nuk ka mundësi të kompensojë këto biznese për dëmet e mëdha që u janë shkaktuar. Prandaj duhet të lejojë punën e tyre duke respektuar të gjitha masat e sigurisë. Ndërkaq është detyrim i shtetit të krijojë mekanizma kontrolli në mënyrë që të detyrojë që të paguhet tatimi real në bazë të realizimit të fitimit. /Telegrafi/

Exit mobile version