Site icon Telegrafi

KMDLNj: Dërguti e Kadaj nuk kanë vërejtje në sjellje të Policisë

Monitorues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), në kuadër të mandatit të tyre vizituan Qendrën e Ndalimit në Prishtinë pas protestës së mbajtur më 1 shtator kundër marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, me ç’rast në hapësirat e Kuvendit të Kosovës u arrestuan dy deputete të Lëvizjes Vetëvendosje dhe u arrestuan edhe qytetarë të tjerë.

Në një njoftim për media, thuhet se në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë, KMDLNj takoi të dy deputetet, të cilat pohuan nuk kishin vërejtje në sjelljet e policisë gjatë arrestimit të tyre.

“Gjithashtu, deputetet pohuan se ato nuk janë njoftuar me të drejtat që u takojnë në momentin e arrestimit. Me të drejtat janë njoftuar vetëm kur kanë mbërritur në Qendër të Mbajtjes. Ato nuk patën vërejtje në sjelljet e stafit të Qendrës së Mbajtjes. Gjithashtu, KMDLNj takoi edhe dy qytetarë të arrestuar (D. B 18 vjeçar dhe L. B 22 vjeçar). D. B deklaroi se ai edhe pse ka rezistuar gjatë arrestimit sjelljet e Policisë së Kosovës kanë qene korrekte ndaj tij, është njoftuar me të drejtat që i takojnë dhe po ashtu nuk pati vërejtje as për sjelljet e stafit të Qendrës së Mbajtjes.

Kurse, L. B pohoi se gjatë arrestimit të tij në Sheshin Nënë Tereza, pasi kishte rezistuar të arrestohej njëri nga policët e njësisë speciale i kishte rënë shuplakë, ai pohon se nuk mundet ta identifikojë se cili ka qenë polici. Kurse, i njëjti është njoftuar me të drejtat që i takojnë dhe nuk kishte vërejtje për sjelljen dhe qënd rimin në Qendër të Mbajtjes”, thuhet në njoftim.

Më tej, sipas tyre, të ndaluarit nuk kanë kërkuar ndihmën e mjekut dhe gjendja shëndetësore e tyre është e mirë. Të gjithë të ndaluarit kanë refuzuar avokatët mbrojtës përkundër të drejtës që iu takon.

“Monitorues të KMDLNj-së vlerësojnë se gjatë qëndrimit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë nuk ka pasur shkelje të drejtave të personave të privuar nga liria. KMDLNj vlerëson lartë punën korrekte të zyrtarëve policorë në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë përkundër kushteve joadekuate”, thuhet në fund të njoftimit.

Exit mobile version