Site icon Telegrafi

​KMDLNj: Askush nuk ka të drejtë të ushtrojë presion mbi deputetët

Me 3 qershor 2020, me kërkesë të mandatarit Hoti, do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për votim të qeverisë së re.

Këtë vendim e mori Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen që është mbajtur sot.

E KMDLNj pret që votimi për qeverinë e re të Kosovës të bëhet në suaza të një demokracie parlamentare duke respektuar çdo votë si shprehje e lirë e vullnetit të deputetit, pavarësisht nëse është pro apo kundër.

Ky është reagimi i KMDLNj-së:

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentit Thaçi pati kundërshtime dhe pakënaqësi verbale por që nuk ndikuan në gjendjen e sigurisë. KMDLNj me një thirrje publike ka kërkuar që vendimi i Gjykatës si një akt i pakthyeshëm dhe vendim i autoritetit suprem për interpretim të Kushtetutës të mos kundërshtohet sikur që gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese duhet të kursehen nga kërcënimet, shantazhimet dhe linçimet publike e që, përjashtuar disa raste me të cilat po merret policia, gjendja nuk ka përshkallëzuar siç ishte paralajmëruar. KMDLNj shpreson dhe pret që edhe votimi për qeverinë e re të Kosovës të bëhet në suaza të një demokracie parlamentare duke respektuar çdo votë si shprehje e lirë e vullnetit të deputetit, pavarësisht nëse është pro apo kundër. Askush nuk ka të drejtë të ushtrojë presion në deputetë për përcaktimin e votës së tyre. Seanca për votim të qeverisë së re më asnjë mënyrë nuk guxon të përshkallëzojë në veprime joparlamentare, ndryshe ata që do ta bëjnë këtë do të marrin përgjegjësi politike dhe do të kenë pasoja në zgjedhjet e ardhshme që sipas KMDLNj nuk do të jenë larg.

Votoni sipas bindjes tuaj dhe respektoni edhe votën që është e kundërt me tuajën. /Telegrafi/

Exit mobile version