Site icon Telegrafi

KMDLNj: Arrestimi i Marko Gjuriqit ishte shumë profesional, ekspozimi para medieve i panevojshëm

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar lidhur me operacionin e së hënës së Policisë së Kosovës.

KMDLNj thekson se arrestimi i Marko Gjuriqit ishte një veprim shumë profesional i Policisë së Kosovës dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të vendeve me një demokraci të zhvilluar ku respektimi i të drejtave të njeriut është vlerë themelore dhe universale e demokracisë.

Por KMDLNj derisa intervenimin policor gjatë arrestimit të Marko Gjuriqit e vlerëson shumë profesional, ekspozimin para medieve dhe qytetarëve e sheh si folklorizëm politik dhe të ndikuar nga politika.

Lexoni të plotë njoftimin e KMDLNj-së

“Për shkak të kalimit ilegal të kufirit , shefi i zyrës së Serbisë për Kosovën Marko Gjuriq u arrestua nga Policia e Kosovës për t’u sjellë në Prishtinë në një blic-qëndrim pas së cilës u deportua në Serbi përmes pikës kufitare Merdare.

Arrestimi i Marko Gjuriqit ishte një veprim shumë profesional i Policisë së Kosovës dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare te vendeve me një demokraci të zhvilluar ku respektimi i të drejtave të njeriut është vlerë themelore dhe universale e demokracisë. Pasi i arrestuari Marko Gjuriq është transferuar në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë, monitorues të KMDLNj-së kanë qenë në Qendrën e Ndalimit me ç’rast Policia e Kosovës ka qenë shumë bashkëpunuese me KMDLNj , duke mos e penguar në asnjë veprim dhe duke siguruar qasje të lirë në këtë qendër.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, mbështetur në mandatin që e ka dhe në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara me Ministrinë për Punë të Brendshme përkatësisht me Policinë e Kosovës e bënë monitorimin e Qendrave të Ndalimit që janë nën përgjegjësi të MPB- Policisë së Kosovës si dhe Qendrave të Paraburgimit dhe Shtëpive Korrektuese që janë në përgjegjësin e Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë.

KMDLNj, për shkak të qëndrimit disaminutësh të Marko Gjuriqit në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë nuk ka pasur mundësi ta intervistojë të ndaluarin për t’u vërtetuar nëse ndaj tij janë bërë shkelje të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria.

Aksioni policor në Mitrovicë është bërë shkaku i hyrjes ilegale dhe mbajtjes së takimit ilegal të Marko Gjuriqit përkundër paralajmërimit se do të arrestohet. Policia e Kosovës ka intervenuar në përputhje me ligjet e Kosovës dhe autorizimet që i ka.

Pas arrestimit, në aksionin e të cilit kanë qenë edhe policë serbë të Policisë së Kosovës ka reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq duke i kërcënuar se do ta pësojnë dhe në këtë mënyrë e ka rrezikuar jetët e policëve serbë të Policisë së Kosovës dhe familjeve të tyre.

Kërcënimi i Vuçiqit paraqet rrezik të drejtpërdrejt dhe si i tillë duhet të dënohet nga institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare. Kjo dëshmon se kush po ia vë flakën veturave zyrtare të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës dhe kush po i sulmon policët serbë të Policisë së Kosovës dhe kush e ka vrarë Oliver Ivanoviqin.

Shqetësimi i dytë i KMDLNj-së është prania e ministrave serbë të Qeverisë së Kosovës në takimet ilegale të Gjuriqit dhe Vulinit sikur edhe qëndrimi i tyre i hapur pro Serbisë dhe kundër Kosovës. Këta duhet të shkarkohen menjëherë.

Dhe shqetësimi i tretë i KMDLNj-së është trajtimi i Marko Gjuriqit nga arritja në Prishtinë e deri te transferimi në Qendrën e Ndalimit. Nga aspekti i të drejtave të personave të privuar nga liria, personi i arrestuar duhet të trajtohet me dinjitet, në përputhje me standardet ndërkombëtare e që nuk është vepruar në këtë rast . Zoti Gjuriq i prangosur nuk ka paraqitur asnjë rrezik për Policinë e Kosovës dhe sigurinë dhe ekspozimi i tij para medieve të shumta dhe qytetarëve kur ka pasur mundësi që përmes rrugës së rregullt të dërgohet në Qendrën e Ndalimit paraqet trajtim degradues dhe poshtërues dhe si i tillë duhet të gjykohet edhe në rastin konkret por edhe në rastet tjera.

Policia e Kosovës, në aspektin profesional është shumë e përgatitur dhe ndër më të mirat në rajon, prandaj nuk duhet t’i lejojë vetes t’i përsërisë gabime të ngjashme në të ardhmen. Të gjithë të arrestuarit duhet të trajtohen pa u diskriminuar dhe në përputhje me të drejtat e njeriut.

KMDLNj kërkon hetim për këtë lëshim profesional që nuk është dashur të ndodhë. Intervenimin policor gjatë arrestimit të Marko Gjuriqit, KMDLNj e vlerëson si shumë profesional ndërkaq ekspozimin e panevojshëm para medieve dhe qytetarëve e sheh si folklorizëm politik dhe i ndikuar nga politika.

Të drejtat e personave të privuar nga liria janë universale nuk dallojnë nga përkatësia etnike, bindjeve politike apo statusit në shoqëri dhe vetëm si të tilla pranohen si standard i të drejtave të njeriut.

Shpresojmë që Policia e Kosovës ta kuptojë këtë dhe se në të ardhmen nuk do të ndodhin lëshime të tilla”.  /Telegrafi/

Exit mobile version