Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka bërë thirrje tek të gjitha subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të kenë kujdes se çfarë fjalori përdorin, duke e eliminuar fjalorin e urrejtjes si mjet dhe mundësi për mbledhje të votave.
Në reagimin e bërë nga KMDLN-j, thuhet se të gjitha subjektet politike garuese në këto zgjedhje ka një kohë të gjatë që e kanë filluar fushatën ndonëse ligji e thotë të kundërtën.
“Debatet televizive dhe në mediet tjera elektronike dhe të shkruara shpërfaqin një fjalor agresiv, denoncues, fyes e që nuk garantojnë një fushatë të drejtë ku do të kemi përballje të programeve politike, perspektivave zhvillimore apo krijimit të kushteve për bashkëbisedim për problemet reale me të cilat përballen qytetarët e Kosovës, votuesit e mundshëm e që, me një fjalë, së paku deri më tani del të jetë një riciklim i premtimeve të fushatave të mëparshme zgjedhore dhe të cilat, ose nuk janë realizuar fare ose janë realizuar në përqindje të vogël”, thuhet në reagimin e bërë nga KMDLNj, transmeton Telegrafi.
Reagimi i plotë:
“MOS E DEGRADONI GJUHËN, ENDE PA FILLUAR FUSHATA
Pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, presidenti i Kosovës, në bazë të përgjegjësisë kushtetuese i shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen me 6 tetor 2019. Pasi u ndanë mjetet financiare për organizim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, KQZ – i filloi përgatitjet duke caktuar që fushata parazgjedhore të filloi me 25 shtator 2019 dhe të përfundoi me 5 tetor 2019. Në fakt , të gjitha subjektet politike garuese në këto zgjedhje ka një kohë të gjatë që e kanë filluar fushatën ndonëse ligji e thotë të kundërtën por, në mungesë të sanksioneve për shkelje të rregullave të fushatës , kjo ka vazhduar papengueshëm ani pse askush nuk e pranon se është duke bërë fushatë. Debatet televizive dhe në mediet tjera elektronike dhe të shkruara shpërfaqin një fjalor agresiv, denoncues, fyes e që nuk garantojnë një fushatë të drejtë ku do të kemi përballje të programeve politike, perspektivave zhvillimore apo krijimit të kushteve për bashkëbisedim për problemet reale me të cilat përballen qytetarët e Kosovës, votuesit e mundshëm e që, me një fjalë, së paku deri më tani del të jetë një riciklim i premtimeve të fushatave të mëparshme zgjedhore dhe të cilat, ose nuk janë realizuar fare ose janë realizuar në përqindje të vogël.
KMDLNj thërret të gjitha subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të kenë kujdes se çfarë fjalori përdorin duke e eliminuar fjalorin e urrejtjes si mjet dhe mundësi për mbledhje të votave. Kryetarët e partive politike duhet të sigurojnë publikisht se anëtarët e partisë si dhe garuesit për deputetë të Kuvendit do t’i përmbahen një rregulli dhe disipline në të kundërtën ndaj atyre që nuk i respektojnë rregullat e lojës garuese të ndershme duhet të ndërmarrin masa.
Partitë garuese duhet të jenë modeste në dhënien e premtimeve dhe këmbëngulëse në realizimin e atyre premtimeve që duhet të jenë reale dhe objektive. Premtimet e mëdha dhe fjalët e mëdha e kanë humbur seriozitetin e fushatave të mëparshme prandaj KMDLNj shpreson se këto parti kanë nxjerrë mësim nga e kaluara dhe se nuk do të përsërisin premtimet e njëjta aq më parë që ka ndryshuar si konteksti politik ashtu edhe ai ekonomik.
Organizimi i zgjedhjeve pa një reformë të mirëfilltë zgjedhore e që ka qenë kërkesë afatgjatë dhe e vendosur e shoqërisë civile lë mundësinë për manipulim me votuesit dhe votat e që do të ndikojnë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve përkundër mekanizmave monitorues që deri më tani janë treguar të efektshëm dhe të suksesshëm.
KMDLNj thërret votuesit që të mos japin asnjë votë për kandidatët potencialë që kanë problem me ligjin përkundër faktit që subjektet politike garuese kanë premtuar se do t’i pastrojnë listat duke mos i futur në listë ata që kanë aktakuza apo ndonjë problem të pasqaruar me ligjin. Pastrimi i listave nga delikuentët e ndryshëm që kanë bërë shkelje të ligjit nuk duhet të bëhet pse këtë e kërkojnë ndërkombëtarët por se është interes dhe nevojë e qytetarëve të Kosovës si njëri ndër kushtet elementare për zhvillim ekonomik.
KMDLNj kërkon nga autoritetet e Kosovës që të ndërmarrin të gjitha masat që të sigurojnë kushte që serbët e Kosovës të kenë mundësi të bëjnë fushatë të papenguar sikur që edhe në ditën e zgjedhjeve të kenë siguri të japin votën për kandidatin apo subjektin e preferuar pa pasur rrezik t’i nënshtrohen dhunës psikike , linçimit medial si dhe dhunës fizike e që ka ndodhur deri më tani duke lejuar ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Beogradit.
Në këtë kontekst nuk duhet të lejohet asnjë vizitë e zyrtarëve dhe autoriteteve nga Serbia , që me gjuhën e tyre të urrejtjes dhe përjashtuese kushtëzojnë dhe shantazhojnë votuesit e komunitetit serb të votojnë për Listën Serbe”./Telegrafi/