Site icon Telegrafi

Klubit norvegjez iu desh të udhëtonte 220 metra me autobus për ndeshjen evropiane për shkak të një rregulli të çuditshëm

Lojtarët e klubit norvegjez, Bodo/Glimt, u detyruan të merrnin një nga linjat më të shkurtra të autobusëve ndonjëherë për shkak të rregullave të çuditshme të UEFA-s.

Përkatësisht, rregullat e UEFA-s diktojnë që skuadra në garat evropiane duhet të arrijë së bashku në stadium me autobus, dhe kjo për shkak të mbajtësit të të drejtave televizive.

Kështu futbollistët e klubit norvegjez u nisën në orën 17:05 me autobusin e klubit nga stacioni në Nordland për të qenë para stadiumit Aspmyra në Bodo një minutë më vonë.

“Është një natë e vërtetë komedie”, tha gazetari Freddy Thoresen.

Meqë ra fjala, kjo është praktika e zakonshme e lojtarëve të klubit më të mirë norvegjez kur luajnë një ndeshje në shtëpi në garat evropiane, ashtu ishte edhe tani.

“Në fund të ditës, bëhet fjalë për ndjenjën e komunitetit dhe paraqitjen së bashku në stadium. Mund të duket e mërzitshme dhe e çuditshme, por ne mund të shijojmë së bashku për rreth tridhjetë sekonda”, ka thënë lojtari i Bodo/Glimt, Villads Nielsen.

“Është mirë, na thonë se duhet, kështu që ne nuk përpiqemi ta ndryshojmë. Unë parkoj makinën time para autobusit, futem në të dhe bëhem gati për lojën, por është pak qesharake”, shtoi lojtari tjetër Jens Petter Hauge.

Pranë stadiumit banojnë disa futbollistë dhe nuk lejohen të vijnë në këmbë në stadiumin Aspmyra për ndeshjet evropiane, pasi duhet të bashkohen në autobus me futbollistët tjerë.

Kjo është një kërkesë e UEFA-s, e cila kërkon që klubi norvegjez të udhëtoj me një autobus për 220 metra.

“UEFA dëshiron që ne të vijmë së bashku në stadium dhe kështu do të jetë gjithmonë”, ka thënë menaxheri i klubit, Truis Bjerke, i cili “pret” lojtarët që hyjnë në autobus dhe u jep atyre akreditimet që duhet të kenë lojtarët për të hyrë në fushë.

Ndryshe nga mbërritja së bashku në stadium, futbollistët nuk kanë asnjë detyrim që të largohen së bashku nga stadiumi, ndaj janë të lirë të shkojnë në shtëpi të pavarur pas ndeshjes.

Meqë ra fjala, norvegjezët mundën Porton me rezultat 3-2. Shënues për vendasit ishin Kasper Hogh dhe Hauge, i cili shënoi dy gola, ndërsa për mysafirët shënuan Samu Omorodion dhe Deniz Gul. /Telegrafi/

Exit mobile version