Fundjavën që lamë pas qyteti i Pejës ishte nikoqire e garave të radhës në tenis, të parapara në kalendarin vjetor të garave të Federatës së Tenisit të Kosovës, ku në këtë qytet u mbajt një turne në nivel nacional.
Pjesëmarrës në këtë turne ishte edhe Klubi i Tenisit ‘HotShot’ nga Gjakova, të cilët pas suksesit të arritur në turneun që u mbajt muajin e kaluar pikërisht në qytetin e Pejës, ku nga 5 kategoritë e zhvilluara arriti t’i fitojë 4 vende të para, arritën të dominojnë edhe në këtë turne ku nga 4 kategori që u zhvilluan në total, 3 vendet e para në këto kategori u kanë takuar teniserëve të talentuar të KT ‘HotShot’ nga Gjakova.
Teniserët që arritën të fitonin vendet e para në këtë turne ishin :
- Olea Gjoka KAMPIONE në U8
- Joni Hima KAMPION në U11
- Diora Gjoka KAMPIONE në U11
Sipas trajnerit të KT ‘HotShot’ Art Baruti, ky turne u karakterizua me lojëra të vështira dhe konkurrencë të madhe.
”Ky turne u karakterizua me lojëra të vështira dhe konkurrencë të madhe, ku vlen të theksohet kategoria U11 për vajza, ku Diora Gjoka e klubit Hotshot u shpall kampione në mesin e 13 pjesëmarrëseve pas 3 ndeshjeve të fituara në grup, vlen të përmendet edhe fitorja e arritur në finalen maratonike e atraktive që zgjati 1 orë e 20 minuta.”, potencoi Baruti.
Poashtu Baruti rezultatet e arritura këtë sezon i cilësoi shumë domethënëse.
”Sukseset e këtij turneu dhe në përgjithësi të këtij sezoni janë domethënese pasiqë momentalisht kemi 4 kampionë të ndryshëm në klub dhe kjo tregon që sistemi i ushtrimeve po funksionon gjë që na bën optimist për të ardhmen.”, shtoi ndër të tjera Baruti.
Theksojmë që nga themelimi i KT ‘HotShot’ në vitin 2017, viti 2024 ka qenë viti më i suksesshëm për teniserët që janë pjesë e këtij klubi. /Telegrafi/