RasenBallsport Leipzig, ndoshta nuk e keni dëgjuar më herët këtë emër, por tani ky emër i klubit gjerman është bërë shumë i njohur.
Një klub pa histori të gjatë dhe pa traditë, por ka pasur gjithmonë paratë për ‘t’i blerë sukseset’.
Kështu së paku e quajnë gjermanët, skuadër që ka blerë sukseset edhe pse në të vërtetë kjo gjë nuk mund të thuhet.
Klubi u themelua në vitin 2009 me iniciativën e pijes energjike Red Bull, por që ka blerë licencën e klubit SSV Markranstadt që është afër qytetit të Leipzigut.
Kompania e pijeve energjike Red Bull ka edhe skuadra të tjera nën pronësi, mirëpo në Gjermani nuk lejohet emri i sponsorit në emër të klubit dhe kështu ka vendosur që ta quajë klubin Raseballsport Leipzig.
Që nga viti 2009, Leipzig është bërë njëherit edhe klubi më i urryer në Gjermani. Arsyeja? E thjeshtë, gjermanët nuk i duan skuadrat që kanë shumë para dhe blenë suksesin me para.
Leipzig është ngritur çdo vit në një kategori më lartë dhe gjithmonë ka pasur skuadër me futbollistë të jashtëzakonshëm të cilët edhe janë paguar shumë.
Ka qenë 8 maji i këtij viti kur klubi me fitoren 2-0 ndaj Karsluher ka arritur suksesin më të madh në histori duke u futur direkt në elitën e futbollit gjerman, Bundesliga.
Vetëm dy vite më parë RB Leipzig u fut në Bundesliga 3 dhe që në atë kohë filluan investimet e mëdha. Ata nënshkruan me sulmuesin e tyre kryesor danezin Yussuf Poulsen, mbrojtësin e tanishëm të Bayernit, Joshua Kimmich dhe lojtar të tjerë për ta bërë më të lehtë ngjitjen në Bundesliga 2.
Në Bundesliga 2, Leipzig ka qëndruar dy vite, pasi vitin e parë ishte tetë pikë larg qëllimit, ndërsa në të dytin u fut në elitë si nën kampione.
Tani Leipzig i zhvillon ndeshjet në Red Bull Arena dhe është një skuadër tejet e suksesshme në Bundesliga.
Kur kanë zhvilluar shtatë ndeshje në elitën e futbollit gjerman, Leipzig ka shënuar katër fitore dhe ka barazuar në tri ndeshje të tjera, duke u renditur në pozitën e tretë me dy pikë mbrapa Bayern Munichut.
Skuadra me histori shtatë vjeçare ka mposhtur Borussia Dortmundin, dhe tani po shikohet si kandidat për titullin e kampionit në Gjermani.
Disa njerëz thonë se paraja nuk është asgjë, mirëpo në sport vlen shumë, pasi një skuadër pa histori me vetëm shtatë vite nga themelimi i saj mund të shkruajë historinë më të bukur të futbollit duke u shpallur kampione në njërën nga ligat më të forta në botë.
Kompania gjiganti e pijeve energjike Red Bull ia ka arritur qëllimit duke u shpallur kampion në Austri me Salzburgun dhe në Amerikë me New Yorkun, ndërsa tani ëndrra e madhe është të sundojë në Gjermani me Leipzigun. /Telegrafi/