Klubi i Prodhueseve të Kosovës përshëndet dhe përkrah shfuqizimin e vendimit që ndalon eksportin e përkohshëm të produkteve esenciale agro-ushqimore.
KPK thotë se ky vendim ishte zgjatur duke shkaktuar shqetësim shumë të madh te prodhuesit vendor.
“Për shkak të situatës kur u mor ky vendim, Klubi i Prodhuesve ishte në pajtim me këtë vendim, pasi që u vështirësua zinxhiri i furnizimit, i ndikuar nga invazioni dhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
“Ky vendim është zgjatur duke shkaktuar shqetësim shumë të madh te prodhuesit vendor, te cilët kërkonin rishqyrtim dhe analizim të situatës faktike, dhe shmangien e dëmeve të jashtëzakonshme dhe efektet zingjirore që ky vendim pati te ta”, vijon KPK.
Në fund, Klubi thotë se vendimet e tilla duhet të merren në konsultë me interesat e bizneseve.
“Shpresojmë që vendimet e tilla të merren në konsultë me vetë interesat e prodhuesve vendore, por edhe duke e analizuar hollësisht efektet e vendimeve të tilla”, përfundon Klubi.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka marr vendim që ta shfuqizojë vendimin që ndalonte përkohësisht për eksport disa nga produktet themelore agro-ushqimore.
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e 69-të të Qeverisë pati thënë se ky vendim po merret në një situatë kur është vështirësuar zinxhiri i furnizimit, i ndikuar nga invazioni dhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë. /Telegrafi/