Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ka nënshkruar grant marrëveshje me USAID EMPOWER Sektori Privat – në partneritet me SIDA, për implementimin e projektit “On the Job Training Program” (Programi për Trajnimin në Punë). Ky program ka për qëllim të mobilizojë kompanitë në sektorin privatë që të angazhohen në mënyrë më aktive në trajnimin e të rinjve dhe aftësimin e tyre profesional.
USAID EMPOWER Sektori Privat së bashku me KPK-në dhe partnerë të tjerë janë duke zhvilluar këtë program i cili synon ngritjen e aftësive profesionale tek të rinjtë dhe rritjen e mundësisë së punësimit të tyre.
Komunat ku do të fillojë të implementohet ky program janë komuna e Gjilanit, Vitisë, Kaçanikut dhe Hanit të Elezit. Përfituesit e këtij projekti do të jenë 250 kandidatë nga këto komuna, të cilët do të trajnohen në punë. Në përfundim të trajnimeve, disa prej kandidatëve do të kanë mundësi të punësohen tek kompanitë partnere prodhuese të Klubit.
Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është promovimi i përfshirjes sociale të rinjve të papunësuar nëpërmjet sigurimit të mbështetjes dhe aftësimit profesional të tyre në tregun e punës.
Gjatë javëve në vazhdim Klubi i Prodhuesve të Kosovës do të njoftojë se kur do të hapen edhe aplikimet për pranimin e kandidatëve në secilën komunë në të cilën parashihet implementimi i këtij programi. /Telegrafi/