Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) sot nënshkroi një marrëveshje të mirëkuptimit me Komunën e Hanit të Elezit për fillimin e implementimit të “Programit për Trajnimin në Punë”, program ky i cili mbështetet financiarisht nga projekti i USAID, EMPOWER Sektori Privat, në partneritet me Agjencinë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA).
Programi për Trajnimin në Punë ka për qëllim të mobilizojë kompanitë në sektorin privat që të angazhohen në mënyrë më aktive në trajnimin e të rinjve ekonomikisht të përjashtuar dhe aftësimin e tyre profesional.
Për këtë arsye, KPK, së bashku me partnerët nga sektori privat, ka filluar implementimin e këtij Programi, i cili është i strukturuar për zhvillimin e aftësive profesionale tek të rinjtë dhe rritjen e mundësisë së punësimit të tyre.
Në komunën e Hanit të Elezit, përfituesit e parë të këtij programi do të jenë të rinj, të cilët do të trajnohen në punë përmes angazhimit direkt në kompani.
Në përfundim të trajnimeve, pritet që disa prej përfituesve të kenë mundësi të punësohen tek kompanitë partnere prodhuese të Klubit. Kandidatët do të përfitojnë nga një program trajnimi i kualifikuar dhe i strukturuar për nevojat e tregut të punës.
Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma shprehu kënaqësinë që një program i tillë do të fillojë të implementohet në këtë komunë, ku nevojat për punësimin e të rinjve janë të mëdha.
Ai tha se do të ofrojë mbështetjen e tij dhe të tërë komunës për realizimin e këtij projekti.
Ndërkaq, Vllaznim Osmani nga Klubi i Prodhuesve falënderoi kryetarin Suma për mbështetjen dhe i njoftoi që së shpejti do të hapen edhe aplikimet për përzgjedhjen e kandidatëve në këto komuna.
Komunat tjera përfituese nga ky Program janë edhe Kaçaniku, Vitia dhe Gjilani. /Telegrafi/