Telegrafi

Klubi i Prodhuesve reagon ndaj tenderit të AQP-së për blerjen e produkteve serbe

Edhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe, Klubi i Prodhuesve me anë të njoftimi shpreh reagimin ndaj të gjithë atyre institucioneve që nuk po i respektojnë vendimet e ekzekutivit të vendit.

Klubi i Prodhuesve thotë se është e papranueshme që Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), e cila ka bërë blerje në emër të agjencive të pavarura, ka hapur tender që të blejë produkte të cilat kanë origjinë nga Serbia.

“Klubi i Prodhuesve të Kosovës në vazhdimësi ka apeluar ndaj të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës që të përkrahin prodhimet vendore në të gjitha blerjet publike. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i japin përparësi prodhimeve vendore gjatë prokurimit publik, dhe kërkojmë që të ndryshohet Ligji për Prokurimi Publik sepse edhe në bazë të MSA-së lejohet që t’i jepet përparësi prodhimeve vendore. Kjo praktikë zbatohet në shumicën e vendeve të regjionit dhe në vendet e BE-së”, thuhet në reagimin e Klubit të Prodhuesve, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Kryeministri paralajmëron masa ndaj zyrtarëve që shpallën tender për produktet serbe

Në fund, Klubi thotë se “ky veprim i Agjencisë Qendrore të Prokurimit e shpreh neglizhencën dhe injorancën që ky institucion ka ndaj prodhimeve vendore dhe përkrahjes dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Klubi i Prodhuesve shpreson që qeveria do të marr masat e duhura ndaj këtij veprimi dhe njëherazi kjo të jetë hera e fundit ku prodhimet e huaja të favorizohen dhe prodhimet vendore anashkalohen dhe dëmtohen”. /Telegrafi/