Klubi i Prodhuesve të Kosovës (KPK) e përkrah vendimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vendosjen e masave mbrojtëse për importin e qumështit me origjinë nga Bosnja dhe Hercegovina.
“Ky vendim ka qenë i nevojshëm kur kemi parasysh faktin që importi i qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina ka ardhur me çmim më të ulët se kostoja e prodhimeve vendore të qumështit, po ashtu duke marrë parasysh edhe rritjen e këtij importi në tregun vendor, ku si pasojë ka dëmtuar thellësisht pozitën e prodhimeve vendore të qumështit:, thuhet në njoftimin e KPK-së, përcjell Telegrafi.
KPK thotë se sektori i qumështit në Kosovë vlerësohet si një ndër sektorët me më së shumti të punësuar dhe si një ndër sektorët më me perspektivë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe se mbështet çdo vendim ku mbrohen drejtpërdrejtë interesat e prodhuesve vendor.
Gjithashtu KPK thotë se masat e këtilla mbrojtëse përbejnë një lehtësim të madh për prodhuesit vendor dhe do të vazhdojë të përkrah MTI-në për çdo vendim që mbështet prodhuesit vendor dhe në të njëjtën kohë e inkurajon atë që të vazhdojë me politika të cilat e fuqizojnë prodhimin e vendit.
MTI ka marr vendim për masa mbrojtëse për qumështin duke u bazuar në kompetencat ligjore si dhe dispozitat përkatëse të Marrëveshjes së CEFTA-së. /Telegrafi/