Site icon Telegrafi

Klubi i Prodhuesve i Kosovës organizon punëtorinë mbi lehtësimin e tregtisë

Klubi i Prodhuesve të Kosovës sot ka organizuar punëtorinë “Lehtësimi i tregtisë përmes Operatorëve të Autorizuar Ekonomik”, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës në kuadër të lehtësimit të barrierave tregtare për prodhuesit vendor.

Qëllimi kryesor i kësaj punëtorie ishte diskutimi mbi atë se çka përmban ky koncept dhe informimi më i hollësishëm i prodhuesve vendor rreth këtij koncepti.

Punëtoria kishte të pranishëm përfaqësues nga Dogana e Kosovës të cilët sqaruan për pjesëmarrësit udhëzuesin mbi OAE, këshillat ligjore, informata se kush mund të bëhet OAE, cilat janë përfitimet e OAE-së, procesin e aplikimit dhe autorizimit, po ashtu edhe rreth informimit të dorëzimit të aplikacioneve të OAE-së.

Koncepti i Operatorëve të Autorizuar Ekonomik (OAE) u prezantua si një nga elementet kryesore të amendamentit të sigurisë të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës. Në punëtori u tha që një OEA mund të përkufizohet si një operator ekonomik i cili konsiderohet i besueshëm, në kontekstin e procedurave doganore të tij dhe për këtë arsye ka të drejtë të gëzojë përfitime të caktuara në të gjithë Kosovën. Në këtë kontekst operatori ekonomik nënkupton personin i cili, në rrjedhën e biznesit të tij, është i përfshirë në aktivitetet e mbuluara nga legjislacioni doganor.

Programi OAE është i hapur për të gjithë operatorët ekonomikë, duke përfshirë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe pa marrë parasysh rolin e tyre në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit.

Gjatë punëtorisë u tregua që mbajtësi i statusit të OAE ka disa të drejta dhe avantazhe si për shembull, ka një numër më të vogël të kontrolleve të dokumenteve dhe kontrolleve fizike. Trajtim me prioritet të dërgesës në rast të përzgjedhjes për kontroll, qasje më të shpejtë dhe më të dhe mundësi për të kërkuar një vend të veçantë për kontroll, dhe disa avantazhe tjera.

Prodhuesit pjesëmarrës patën mundësi që të parashtronin edhe kërkesat e tyre dhe adresojnë problemet që kanë në lidhje me tregtinë e mallrave të tyre. Po ashtu ata shprehën falënderimin për përkrahjen e deritanishme dhe mirëpriten bashkëpunimin në vazhdimësi. /Telegrafi/

Exit mobile version