Site icon Telegrafi

Klubi i prodhuesve kërkon nga Qeveria lehtësira për bizneset

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi dhe ministri i Financave Avdullah Hoti sot janë takuar me përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, ku diskutuan për Pakon e dytë fiskale.

Kelmendi me këtë rast theksoi se Qeveria e Kosovës është duke trajtuar me kujdes prodhuesit vendor, duke eliminuar barrierat ndaj bizneseve dhe avancuar ato.

Sipas tij roli primar dhe kryesor i Qeverisë është krijimi i politikave fiskale të favorshme për bizneset.

Mirëpo, Kelmendi kërkoi nga përfaqësuesit dhe prodhuesit e vendit që ta eliminojnë informalitetin dhe t’i lajmërojnë punëtorët e tyre, ngase sipas tij po I mbajnë disa prej tyre në të zezën.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve, Astrit Shabani, paraqiti dhjetë kërkesa në Qeveri për ndryshime fiskale me ligjin e ri. Ai tha se Ministria e Financave duhet që të krijojë ligje në favor të prodhuesve, meqë sipas tij, edhe janë të thirrur.

Astrit Panxha përfaqësues i këtij Klubi tha se ndër dhjetë kërkesat e tyre është zgjerimi i listës së mallrave për lirim nga tarifat doganore, trajtimi i humbjeve nga derivatet, një kërkesë tjetër është për shfrytëzimin e ujërave për pagesën retroaktive.

Po ashtu kërkesë tjetër nga Klubi ishte edhe çmimi i lartë i energjisë elektrike dhe mos furnizimi i rregullt, si dhe heqja e akcizës për disa produkte të lëngjeve.

Panxha tha se me krijimin e lehtësirave për bizneset krijohet edhe mundësia për rritje të numrit të punësimit. Ai kërkoi nga Qeveria që të themelohet një Komision ndërministror për t’i evidentuar problemet dhe zgjidhjen e çështjes së bilancit negativ tregtar.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami theksoi se për çështjen e tarifave të energjisë janë duke u angazhuar me mjaft prioritet, duke bërë një zgjidhje edhe me KEDS.

Ministri i Fianancave, Avdullah Hoti premtoi se me ligjin e ri fiskal do të zgjerohet lista e mallrave për lirim nga tarifat doganore, heqjen e akcizës për mazut, dhe qëllimi sipas tij është që mos të rritet kostoja e konsumatorëve me ligjin e ri të dytë për pakon e re fiskale. /Telegrafi/

Exit mobile version