Pas aksidentit tragjik me aeroplan, ku kanë humbur jetën pothuajse e tërë skuadra e klubit Chapecoense, e gjithë bota e futbollit është solidarizuar me klubin brazilian.
Lajmi i tmerrshëm që ka tronditur tërë botën, ka goditur më së rëndi ekipin e Chapecoenses, transmeton KP.
Në bordin e aeroplanit ishin e gjithë skuadra braziliane që udhëtonte drejt Kolumbisë për t’u përballur me Atletico Nacional në kuadër të finales së Kupës së Amerikës së Jugut.
Siç raportojnë mediat në Kolumbi, klubi i Atletico Nacional ka kërkuar nga CONMEBOL, që trofeu t’i dhurohet Chapecoenses, si nderim ndaj pjesëtarëve të klubit që humbën jetën në këtë aksident tragjik.
Një gjest madhështor ky i Atletico Nacional, por që pritet ende të shihet se cili do të jetë vendimi i Federatës së Futbollit të Amerikës Jugore, për trofeun e dytë më prestigjioz në këtë kontinent.