Vetëm, pak ditë më parë, klubi i Superligës greke, AEL Larissa, kishte njoftuar në faqen e vet zyrtare se kishte arritur marrëveshjen për transferimin e mesfushorit shqiptar, Idriz Batha.
Gjithsesi duket se gjithçka është anuluar tashmë dhe ish-kapiteni i Partizanit do të duhet të kërkojë një tjetër skuadër ku të vijojë karrierën, transmeton Top Channel.
Besojeni ose jo, por shkaku kryesor i anulimit të marrëveshjes ka qenë një fotografi në internet e mesfushorit që shfaqet duke bërë me duar shqiponjën dykrenore të flamurit shqiptar.
Kjo sqarohet edhe në tekstin e mesazhit që drejtori sportiv i klubit grek, i ka dërguar menaxherit të futbollistit, ku e njofton për anulimin e marrëveshjes.
“Arsyeja kryesore e prishjes së kësaj marrëveshjeje është se ne kemi parë një fotografi të lojtarit në internet, ku bën me duar simbolin e Shqipërisë së Madhe”.
“Kjo është diçka e papranueshme për ne, sepse kemi shumë lojtarë serbë në skuadër dhe për më tepër, Shqipëria e Madhe përfshin pjesë nga Rajoni i Maqedonisë në Greqi, gjë që zhgënjen edhe fansat tanë”, thuhet mes të tjerash në mesazhin e drejtorit të AEL Larissas, Vassilis Vanis.
Batha e ka nisur karrierën te Partizan i Tiranës, për të luajtur pasta te Besa e Kavajës, Teuta e Durrësit dhe për t’u kthyer sërish te Partizani në vitin 2014.